Gjergj Vyshka 12.10.2014 07:05
Lenjani-gol, por ndëshkimi vjen në fund nga danezët. Barazimi me nordikët ka ruajtur të paktën kreun e grupit I për kuqezinjtë në Evropian. Nëse De Biazi, si italian tipik, kishte zgjedhur një mbrojtje me shumë forca dhe një kundërsulm të shpejtë me vetëm Balajn të deklaruar, Danimarka, gjithnjë në kërkim të fitores, ka qenë me një vendosje të deklaruar 4-3-3. Nordikët jo vetëm që e luajnë topin në të gjithë sektorët e fushës, por me shumë qetës
i kërkojnë të zenë në befasi mbrojtjen tonë dhe portierin Berisha. Mirëpo nuk gjejnë hapësirat e duhura. Në një kohë që Lenjani, si një zbulim i kësaj ndeshje nga De Biazi, është bërë shqetësim për nordikët. Ka kërkuar të marrë 11-metërsh, që për hungarezin Kasai nuk ka qenë i tillë, por më pas ka goditur beftë, në një largësi prej rreth 20 metrash, dhe e ka përcjellë topin në rrjetë. Pjesa e dytë ka nisur me ndërrim për Danimarkën, ndërsa në lojë është Vibe, “asi” i Olsenit, që ka goditur atëherë kur nuk pritej.
Dukej sikur Danimarka po na e bënte më të lehtë fitoren, sepse qarkullonte dendur, luante nga krahët, por asnjëherë nuk krijonte befasi në mbrojtjen tonë. Lenjani në krahun, por dhe Balaj e Lila mund dhe duhet të kishin shënuar përsëri për tanët. Dhe në një moment shpërqëndrimi të mbrojtjes sonë, ndërsa Bendtner ka kuptuar që duhej të tërhiqej më në thellësi, duke marrë me vete dhe mbrojtësin kundërshtar, që t’i hapte zonën të tjerëve. E kështu ka ndodhur, Vibe ka gjetur Berishën në një moment “gjumi” dhe ka shënuar.
Tashmë duket sikur danezët po luajnë të njëjtën skenë si me Armeninë, teksa kishin përmbysur në Kopenhangen më 7 shtator, nga 0-1 në 2-1. Mirëpo nuk do të ndodh kështu dhe vërshëllima e fundit e hungarezit Kasai, që ka mbajtur një ndeshje perfekte, i ka ndarë të dyja skuadrat në një barazim 1-1. Një pikë që i mban të dyja skuadrat në kuotën e katër pikëve.
Shqipëri – Danimarkë 1-1
Shënues: Lenjani 38’ / Vibe 81’
Shqipëria: Berisha, Lila (Curri 87’), Hysaj, Agolli, Mavraj, Lenjani, Cani, Kukeli, Xhaka (Rama 82’), Abrashi, Bala (Cikalleshi 69’). Trajner: Xh. De Biazi
Danimarka: Shmajkel, P. Ankersen (Beh 71’), Kjaer, Boilesen, Bjeland, Kvist, Eriksen, Hojbjerg (Kahlenberg 79’), Kroh-Dehli, Bendtner, Poulsen (Vibe 46’). Trajner: M. Olsen
Gjyqtarë: V. Kasai, G. Ring, V. Toth, T. Bonjar, M. Fabian (Hungari)
Minutat e golave:
38’ Lenjani, thuajse në pozicion diagonal me portën daneze, në një largësi prej rreth 20 metrash, ka gjuajtur fort dhe topi pasi është penguar në këmbët e njërit prej mbrojtësve miq ka përfunduar në të majtë të Shmajkelit. 1-0
81’ Aksion i gjatë i Danimarkës, Markus Bendtner, edhe pse është penguar nga qendërmbrojtësi Cana, që në një rast tjetër do të ishte 11-metërsh për miqtë, ka arritur ta pasojë topin te Vibe, i cili, edhe duke shmangur daljen e vonuar të portierit Berisha, me qetësi e ka përcjellë topin në rrjetë. 1-1
Minutat e tjera të lojës:
10’ Goditje dënimi për Danimarkën, topi është përcjellë në zonën e rreptësisë shqiptare dhe Kjaer me kokë ka gjuajtur fort, por Berisha ka pritur i sigurt.
19’ Moment tjetër i rrezikshëm në portën tonë, por Eriksen ka gjuajtur jashtë.
20’ Tjetër sulm i Danimarkës, Poulsen ka goditur, por nuk ka qenë i saktë në shënjestrën e tij, ndërsa topi ka përfunduar jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Berisha.
32’ Rasti i parë i rrezikshëm për Shqipërinë ka ardhur nga Xhaka, që ka gjuajtur fort, por Shmajkel ka pritur.
33’ Është kundërpërgjigjur Danimarka me Poulsen, por Berisha tregohet i pathyeshëm, ndërsa ka pritur dhe ka shmangur pësimin e golit.
55’ Mundësi ideale e Danimarkës për të barazuar, por Bendtner nuk ka arritur të godasë, ndërsa kapiteni Cana, në tentativën e tij për të larguar topin nga zona e rreptësisë shqiptare, ka goditur shtyllën e majtë të portës kuqezi dhe më pas sfera ka dalë jashtë.
59’ Balaj brenda zonës së rreptësisë kuqezi, ka gjuajtur fort, por jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Shmajkel, ndërsa tanët mund të kishin shënuar golin e dytë.
63’ Goditje këndi për Shqipërinë në të majtë të sulmit, nga këndi ka krosuar Xhaka, godet Mavraj me kokë, por jashtë.
73’ Kundërsulm i shpejtë i Shqipërisë, Lenjani është i vetëm me Shmajkel, ka goditur thuajse në pozicion diagonal me portën daneze, por topi nuk i është bindur këmbë të tij dhe ka dalë jashtë.
81’ Danimarka paralajmëron golin e barazimit, ka gjuajtur Bendtner, por Berisha sërish ka pritur.
83’ Bendtner ka dhënë pasim për Vibe, që gjuan fort, por jashtë.
90’+3 Aksioni i fundit i danezëve, në pozicion shënimi është Vibe, por Berisha ka pritur dhe në fund barazim 1-1.