AlbanianSport.com 08.09.2015 19:50
ASNN – Nëse “u qamë” nga një humbje “e padrejtë”, apo “e pafat” me Portugalinë e të rriturve, ajo të Nën-21-vjeçarëve na ka bërë për “t’u qarë”, sepse është treguar e pamëshirshme ndaj Shpresave të Shqipërisë. Pritej një ndeshje pozitive për ekipin e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë në ndeshjen ndaj moshatarëve të tyre portugezë, por nuk rezultoi kështu, pasi nënkampionët e Evropës arritën një fitore tenistike, 6-1, në takimin e zhvilluar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”.
Kështu, portugezët i shkaktojnë një tjetër humbje kuqezinjve, por, këtë herë janë Shpresat e Redi Jupit që janë mposhtur me rezultatin e thellë 1-6 në kryeqytet, në ndeshjen e vlefshme për Eliminatoret e “Euro 2017”-s dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kjo ishte ndeshja e dytë e tranjerit Jupi në drejtimin e Shpresave, por, pas barazimit shpresëdhënës, 1-1 me 10 lojtarë ndaj Izraelit, pëson një humbje zhgënjyese nga luzitanët.
Kuqezinjtë e vegjël e nisin mirë, teksa arrijnë të krijojnë aksione të parët me anë Endri Çekiçit, i cili tenton disa herë të kalojë mbrojtjen mike, por nuk ja del. Për 31 minuta lojë nuk ka rrezik për Teqjan i cili mbrohet mirë nga Rrahmani dhe Marku. Por në 15 minutat e fundit të pjesës së parë, portugezët arritën të shënojnë 4 herë, ndërsa përfaqësuesja shqiptare e Nën-21-vjeçarëve praktikisht “shkërmoqen”. Një pakujdesi e kuqezinjve sjell dhe golin e epërsisë për portugezët, të cilët shënojnë me anë të Ruben Nevesit.
Vetëm katër minuta më pas vjen dhe goli i dytë nga Lopes. Por nuk mjafton, aksioni luzitanëve e thyen dhe dy herë të tjera portierin Teqaj, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 0-4. Kështu, ekipi shqiptar i drejtuar nga Redi Jupi ishte inekzistent në fushën e lojës edhe pse në qendrën e mbrojtjes luajti një lojtar si Rrahmani, i cili ishte i grumbulluar nga De Biazi në dy ndeshjet eliminatore të kombëtares, por nuk u aktivizua për asnjë minutë.
Edhe në pjesën e dytë, 21 vjeçarët portugezë dominuan gjithçka duke shënuar edhe dy herë të tjera. Në këtë pjesë, vendasit tentojnë me disa kundërsulme të shpejta me anë të Rashicës dhe Latifit, por pa rezultat. Fernandes plotëson “pesëshen” portugeze, ndërsa Horta i futur në pjesën e dytë në lojë finalizon dhe golin e gjashtë. Golin e nderit për kuqezinjtë e shënoi Milot Rashica, i cili, pasnjë kombinimi të bukur me mesfushorin e Skënderbeut, Latifin, Rashica e çon në portë.