AlbanianSport.com 03.09.2015 16:50
ASNN – Në kuadër të grupit të 4-t eliminator të Evropianit të Futbollit për Nën-21-vjeçarët është zhvilluar të enjten në kryeqytet takimi midis Shpresave të Shqipërisë dhe Izraelit, që u mbyll në barazim 1-1. Ky takim, që u zhvillua në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Shpresat e Shqipërisë kanë marrë një pikë të vlefshme të enjten, pasi kanë marrë një barazim 1-1 në takimin e zhvilluar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Skuadra e drejtuar nga trajneri Redi Jupi është e pasur në gjeografi, por edhe në elementë cilësorë, me lojtarë që luajnë në klube të mira anembanë Evropës.
Pjesa e parë e kësaj sfida ka nisur premtuese për kuqezinjtë, por miqtë gradualisht marrin frenat e lojës në dorë dhe shtylla bëhet shpëtimtare e portës së Thomas Strakoshës në minutën e pestë të ndeshjes. Izraelitët vijojnë ta kontrollojnë lojën dhe këmbëngulja e tyre jep fryte në minutën e 29-të, kur Dor Hugi përfiton nga hutimi i markuesit të tij dhe e përcjell topin në rrjetë.
Përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Izraelit kryeson dhe me këtë epërsi njëgolëshe të saj do të mbyllen 45 minutat e para. Ato të dytat do të nisin në mënyrën më të keqe të mundshme për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Redi Jupi, pasi Albion Avdiaj do të ndëshkohet me karton të kuq në minutën e 49-të, duke i lënë Shpresat e Shqipërisë me 10 lojtarë.
Megjithatë, kuqezinjtë kanë luajtur me kurajo edhe pse në inferioritet numerik, duke krijuar edhe raste për shënim. Madje, 8 minuta para fundit të kohës së rregullt, një depërtim i bukur i Rashicës ndërpritet brenda zone në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari rus i takimit akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë ekzekuton saktësisht Endri Çekiçi, i cili kthen barazinë në shifra.
Me këtë barazim do të mbyllet i gjithë 90-minutëshi dhe minutat shtesë, dhe Shqipëria merr një pikë të vlefshme, që e mban aktualisht në krye të renditjes, së bashku me Izraelin, ndërsa në takimin tjetër të grupit, Hungaria ka fituar 6-0 ndaj Lihtenshtejnit. Pjesë e grupit të 4-t eliminator të Evropianit të kësaj grupmoshe janë edhe Greqi dhe Portugalia, që ende nuk kanë luajtur ndonjë ndeshje.