Gjergj Vyshka 27.01.2016 08:45
Dita e tretë e turneut të Nën-21-vjeçarëve në Antalia të Turqisë ka qenë shkatërruese për kuqezinjtë, sepse janë mundur thellësisht, 0-4 nga Azerbajxhani. Kjo ndeshje është luajtur në “Limak Arcadia Sport Center”, në Belek.
Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve të trajnerit Redi Jupi ka bërë një paraqitje jo të mirë, sidomos në pjesën e dytë, ndaj një skuadre të mirëorganizuar, e cila ka arritur të shfrytëzojë mjaft mirë hapësirat e krijuara nga futbollistët kuqezi.
Megjithatë, pjesa e parë është mbyllur me rezultatin e bardhë 0-0. Në minutën e 55-të, Hakaj ka dalë me kartonin e kuq dhe kjo e ka prishur ekuilibrin, duke i dhënë mundësi azerve të shënojnë në portën kuqezi katër herë.
E kjo ka ndodhur në të 63-ën, në të 73-ën, në të 83-ën dhe në të 90-ën minutë. Turneu “Antalia Cup” ka nisur ditën e premte më datë 22 janar. Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve është ndeshur në ditën e parë me Arabinë Saudite dhe ka barazuar me rezultatin 1-1.
Në ndeshjen e dytë, kundër Bahreinit, të zhvilluar në dielën, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Redi Jupi kanë arritur të fitojnë me rezultatin 1-0. Deri në fund të turneut, Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve do të zhvillojë edhe dy takime të tjera.
Të enjten, përfaqësuesja e Shpresave të Shqipërisë do të përballet në “derbi” me Kosovën dhe të shtunën kundër Ukrainës, duke mbyllur kështu serinë e pesë takimeve të programuara për këtë turne miqësor.