AlbanianSport.com 11/11/2020 18:10
ASNN – Nën-21-vjeçarët kuqezinj të trajnerit Bushi, përballë Kosovës dhe Anglisë në epilog. Kombëtarja shqiptare e Nën-21-vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, po përgatitet për dy ndeshjet e fundit në kuadër të grupit të 3-të të Eliminatoreve të Evropianit të kësaj grupmoshe. Të dy këto ndeshje Shqipëria i luan jashtë fushës së saj, të premten në Kosovë dhe të martën në Britaninë e Madhe me Anglinë.
Shpresat e Shqipërisë luajnë brenda një jave dy ndeshjet e fundit në kuadër të grupit të 3-të të Eliminatoreve të Evropianit të Nën-21-vjeçarëve, duke synuar të paktën të ruajë vendin e 3-të të renditjes, teksa vendi i parë është tashmë çështje e mbyllur, ndërsa vendi i dytë është vetëm një hipotezë matematikore. Anglia e ka konfirmuar edhe matematikisht vendin në fazën finale të këtij Evropiani, ndërsa bashkë me 9 të parat, kualifikohet vetëm e dyta më e mirë e të gjitha grupeve.
Austria mban vendin e dytë në grup, me 15 pikë, por janë disa kandidatura të tjera për vendin e dytë më të mirë dhe gjasat për Shqipërinë, që ka 4 pikë më pak, që ta arrijë vendin e dytë më të mirë të grupeve, nuk ekzistojnë. Kjo bën që trajneri Alban Bushi të synojë më tepër vendin e 3-të dhe përgatitjen e futbollistëve për Kombëtaren e të rriturve.
Prova e radhës për Nën-21-vjeçarët kuqezinj është dueli i të premtes së 13 nëntorit, ku do të përballen në Stadiumin “Fadil Vokrri” me bashkëmoshatarët e Kosovës, e cila mban vendin e 4-t, me dy pikë më pak sesa Shqipëria. Shpresat e fituan ndeshjen e 15 nëntorit të vitit të shkuar, duke triumfuar 2-1 në “Elbasan Arena”, në atë që ishte fitorja e parë e tyre në këto eliminatore.
Megjithatë, për të pritur për dy fitoret e tjera, atë të bujshme në Austri dhe atë të vështirë në shtëpi kundër Andorrës, kuqezinjve të Bushit iu desh të prisnin plot 10 muaj, kohë në të cilën dëmi ishte bërë sa u përket shpresave për ndonjë rezultat historik. Megjithatë, një vend i 3-të, që do të sigurohej me një fitore ndaj Kosovës, pavarsisht rezultatit të ndeshjes së fundit, asaj të së martës së 17 nëntorit 2020 në Stadiumin “Mulino” të Vulverhemptonit ndaj Anglisë vendase, do të përmbyllte një paraqitje të pranueshme për Shpresat në këtë edicion eliminator.
Grupi 3
Renditja
Skuadra
- Anglia 8 7 1 0 26-8 18 22
- Austria 8 5 0 3 18-13 5 15
- Shqipëria 8 3 2 3 15-16 -1 11
- Kosova 8 3 0 5 9-16 -7 9
- Turqia 8 2 1 5 9-16 -7 7
- Andorra 8 1 2 5 9-17 -8 5
Ndeshjet e fundit në grup:
13/11/2020 Turqi 18:00 Austri
13/11/2020 Kosovë 19:00 Shqipëri
13/11/2020 Angli 20:30 Andorrë
17/11/2020 Turqi 17:00 Kosovë
17/11/2020 Angli 20:25 Shqipëri
17/11/2020 Austri 20:25 Andorrë