AlbanianSport.com 08/06/2018 21:05
ASNN – Është mbyllur me një barazim 1-1 ndeshja e dytë miqësore midis Shpresave të Shqipëri dhe përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Bjellorusisë, që u luajt në Stadiumin “Elbasan Arena”. Në fakt, ndeshja e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka nisur praktikisht me një gol të pësuar të kuqezinjve, pasi bjellorusët e gjejnë rrugën e rrjetës pas vetëm 3 minutash lojë.
Goli e ka shtangur skuadrën e trajnerit Alban Bushi, e cila edhe ndeshjen e para 3 ditëve, të fituar me rezultatin 3-2, e pati nisur me një gol të pësuar në pjesën e parë. Sidoqoftë, Shpresat do të nisin të reagojnë dhe, përtej të qenit pranë shkaktimit të një autogoli pas një çerekore lojë, kuqezinjtë do të krijojnë dhe shkojnë dëm një numër rastesh për shënim në gjysmëorën e mbetur të pjesës së parë.
Por herë për pasaktësi në finalizim, herë për meritë të mbrojtjes apo portierit kundërshtar, kuqezinjtë e vegjël nuk do të arrijnë ta gjejnë dot rrugën e rrjetës, ndonëse Cake, Seferi e ndonjë tjetër ka qenë pranë golit. Kësisoj, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të miqve. Edhe pjesa e dytë do të ketë të njëjtën tablo, me kuqezinjtë që bëjnë një vëllim më të madh loje dhe ngulmojnë në drejtim të portës kundërshtare dhe me bjellorusët që mbrohen dhe mundohen të godasin me kundërsulme.
Përtej një goditjeje të Seferit nga larg, një pretendimi për 11-metërsh të kuqezinjve dhe një tjetër goditjeje nga larg nga shënuesi i dy golave në miqësoren e parë, Shpresat nuk do të arrijnë ta gjejnë dot rrugën e rrjetës. Dhe, për t’i treguar shokëve të tij të skuadrës do të vijë portieri Selmani, i cili përfiton nga një goditje këndi në minutën e 3-të shtesë dhe mposht homologun bjellorus. Mbyllet kështu 1-1 ky takim dhe Shpresat e Shqipërisë e përmbyllin këtë seri prej dy miqësoresh me Nën-21-vjeçarët e Bjellorusisë me një fitore e një barazim dhe një fitore, me 4 gola të shënuar e 3 të pësuar.