AlbanianSport.com 26/03/2022 18:40
ASNN – Lista e lojtarëve të Kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve në futboll, të thirrur për dy ndeshjet eliminatore, ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë, ka pësuar sërish ndryshime.
Mësohet se mesfushori Arinaldo Rrapaj ka pësuar një dëmtim dhe pas konsultave me stafin mjekësor nuk do të jetë në gjendje të japë kontributin e tij në ndeshjen e dytë ndaj Anglisë.
Për këtë arsye, trajneri Alban Bushi ka vendosur të thërrasë në ekip mesfushorin e Bylisit, Flamur Ruci, i cili i është bashkuar menjëherë ekipit, që vijon përgatitjet pas humbjes së pafat me çekët të premten.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e dytë ndaj Anglisë më 29 mars në stadiumin “Elbasan Arena”, në ora 20:45, teksa vazhdojnë grumbullimin në qytetin e Durrësit dhe përgatitjet për këtë ndeshje.