AlbanianSport.com 11/10/2021 20:55
ASNN – Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve ka marrë një tjetër fitore të suksesshme këtë të hënë teksa ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Sllovenisë, sfidë e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2023. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje mjaft të bukur në Stadiumin “Elbasan Arena”, teksa kërkuan që në pjesën e parë të takimit të gjenin golin e epërsisë. Që në minutën e 5-të të takimit, kuqezinjtë nisin një aksion me Mario Mitaj, i cili i dhuron një top mjaft të bukur Karricës, që e dërgon mjaft mirë te Dobra.
Ky i fundit godet, por nuk gjen rrjetën. Skuadra e trajnerit Alban Bushi provon edhe në disa raste të tjera, por sllovenët ishin më superiorë në pjesën e parë. Në 45-minutëshin e dytë të takimit, kuqezinjtë tregojnë “fytyrën” e tyre të vërtetë. Që në fillimin e kësaj pjesë, Ernest Muçi krijon dy aksione në portën kundërshtare, por nuk finalizon dot me sukses. Por, në minutën e 52-të, kuqezinjtë gjejnë golin me Karricën, i cili merr mjaft bukur një top nga talenti Mario Mitaj, duke kaluar në epërsi ekipin e Shpresave, të cilët nuk kënaqen me vetëm një gol.
6 minuta më vonë është Armando Dobra ai i cili dyfishon shifrat. Një pasim i shkëlqyer i Ndreçkës, i cili dhuron një top për Dobrën, i cili godet bukur me kokë dhe dërgon topin në rrjetën kundërshtare. 2-0 për Shqipërinë, që në minutat e mbetura të takimit, krijon edhe disa raste të tjera si dhe kontrollon mirë lojën, duke ruajtur epërsin[ e dyfishtë. Në minutat shtesë të takimit, gjyqtari akordon një 11-metërsh në favor të sllovenëve, por që grushtohet nga portieri shqiptar Angelo Tafas.
Ndeshja mbyllet me rezultatin final 2-0, me Shqipërinë e Nën-21-vjeçarëve që renditet në vendin e dytë në grupin G me 9 pikë, po aq sa ka edhe Republika Çeke, që do të luajë të martën kundër Kosovës. Pjesë e grupit G është edhe Anglia, dhe Andorra.
Nën-21-vjeçarët
Shqipëri – Slloveni 2-0
Shënues: Karrica 52′, Dobra 58′
Shqipëria: Tafas, Marku, Selmani, Pëllumbi, Mitaj, Dobra (Toçi 68’), Çelhaka (Vangjeli 92’), Asllani, Ndrecka, Muçi (Cara 77’), Karrica (Lakti 77’). Trajner: Alban Bushi.
Sllovenia: Turk, Spanring, Stojanoviç, Laci, Pavloviç, Casar, Zabukovnik (Çipot 81’), Svetlin, Matko, Begiç, Bosilj. Trajner: Milenko Açimoviç