AlbanianSport.com 22/03/2021 20:55
ASNN – Përgjatë 10 ditëve në vijim, nga data 22, deri më 31 mars 2021, trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi, do të zhvillojë një grumbullim, që mbahet përpara nisjes së fushatës së Eliminatoreve të Evropianit 2023, ku Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë më 4 qershor, në fushë të huaj ndaj Andorrës.
Mbrojtësi i majtë i Tiranës, Marsel Ismailgeci është një nga lojtarët që ka dalë të hënën në konferencën për shtyp. Futbollisti i ri, i cili ka luajtur edhe edicionin e kaluar me skuadrën, ka folur për grumbullimin, grupin e lojtarëve dhe pritshmëritë e tij për Eliminatoret e Nën-21-vjeçarëve që fillojnë në muajin qershor ndaj Andorrës.
“Gjithmonë është kënaqësi të marrësh ftesë nga ekipi kombëtar dhe të japësh maksimumin për këtë fanellë, – ka thënë ai. – Besoj se ftesa ka ardhur nga paraqitjet me Tiranën, por edhe nga paraqitja personale që kam bërë. Shumë lojtarë nga Kategoria Superiore janë shitur jashtë.”
“Dhe kjo është një shenjë e mirë që kampionati jonë ka zhvillim dhe të rinj cilësorë, – ka vijuar futbollisti bardheblu. – Arma më e fortë e Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve është kompaktësia dhe fakti se jemi të bashkuar në çdo moment. Objektivi? Ne do të japim maksiumin për të marrë 3 pikë në çdo ndeshje.”
“Objektivi personal është të bëj sa më shumë paraqitje të mira dhe pse jo, të shitem jashtë. Muçi është shembulli për t’u ndjekur”, – përfundoi Ismajlgeci. Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve do ta nisë fushatën e saj në kuadër të Eliminatoreve të “EURO 2023”-shit të kësaj grupmoshe në 4 qershor 2021, me vizitën që do t’i bëjë Andorrës.