AlbanianSport.com 05.02.2015 16:35
ASNN – Është hedhur sot shorti i fazës eliminatore të Evropianit 2017 për Nën-21-vjeçarët dhe Portugalia, Izraeli, Greqia, Hungaria dhe Litenshtejni janë pesë kundërshtarët e Shpresave të Shqipërisë Në grupin e 4-t. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga UEFA, pas shortit që është hedhur sot në Nion të Zvicrës.
Faza finale e Evropianit të 2017-tës do të mbahet në Poloni, por për të shkuar deri atje, do të duhet që 52 përfaqësuese të Nën-21-vjeçarçve të “luftojnë” për t’u kualifikuar si 12 më të mirat, pikërisht në këtë Evropian. Sipas formatit të paracaktuar nga UEFA, 7 grupe kanë nga 6 skuadra dhe 2 grupe janë me nga 5 skuadra.
Fitueset e 9 grupeve kualifikohen direkt, ndërsa 4 skuadrat më të mira të renditura në vendet e dyta do të luajnë ndeshje “play-off”-i midis tyre, nga ku do të kualifikohen vetëm dy ekipe. Këto të fundit, së bashku edhe me Poloninë si vend pritës, do t’u bashkohen 9 ekipeve që do të fitojnë grupet përkatëse.
Ndeshjet e para eliminatore do të luhen mes datës 23-30 mars të këtij viti. Datat e tjera, sipas kalendarit, janë 8-16 qershor 2015, 31 gusht-8 shtator 2015, 5-13 tetor 2015, 9- 17 nëntor 2015, 21-29 mars 2016, 29 gusht-6 shtator 2016 dhe 3-11 tetor 2016. Takimet e “play-off”-it do të luhen më datat 7-15 nëntor 2016.