AlbanianSport.com 22/03/2021 17:55
ASNN – Marsel Ismajlgeci dhe Mario Gjata, dy futbollistët e kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve kanë dalë ditën e hënë në konferencë për shtyp për të folur për grumbullimin 10-ditor që do të zhvillojnë kuqezinjtë e trajnerit Bushi. Skuadra po plotësohet me të gjithë lojtarët e grumbulluar dhe grupi do t’i zhvillojë seancat stërvitore në Kompleksin “Tropikal”, në Durrës dhe në Kompleksin “Pepa” në Elnasan.
Sulmuesi i Apolonisë, Mario Gjata, i cili grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve, nuk e ka fshehur kënaqësinë e të bërit pjesë në këtë grup. “Jam shumë i kënaqur sepse kam marrë ftesën e parë nga Nën-21-vjeçarët dhe është një kënaqësi e madhe për mua të jem këtu, – ka thënë ai. – Për çdo lojtar Kombëtarja është një ëndërr. Gjithashtu ëndrra ime është të luaj në Kombëtaren A.”
“Në lidhje me lojtarin që pëlqej më shumë, duhet të them se është Bekim Balaj. Përshtatet me lojën time. Jam shumë me fat që jam pjesë e këtij grupi. Të gjithë lojtarët që janë këtu e meritojnë, si Ismajlgeci, Çelhaka, Cara që kanë marrë shumë minuta në ekipet e tyre dhe kanë bërë mirë. Objektivi im tani është që Apolonia të qendrojë në Superligë. Nëse kjo ndodh, atëherë pse jo, të provoj një eksperiencë të re jashtë”, – ka përfunduar Mario Gjata.