AlbanianSport.com 23/03/2021 18:40
ASNN – Ditën e martë, në kampin stërvitor të Shpresave të Shqipërisë në Durrës, kanë dalë në konferencë për shtyp përpara mediave Tedi Cara dhe Jurgen Ҫelhaka, dy lojtarët e talentuar të Partizanit dhe Tiranës, të cilët kanë folur për grupin kuqezi, Eliminatoret e Evropianit të Nën-21-vjeçarëve, si edhe punën që bëhet me të rinjtë. Sulmuesi i Partizanit, i cili është grumbulluar rregullisht nga Kombëtaret e moshave, nuk e ka fshehur kënaqësinë e pranisë në skuadrën e Bushit.
“Ky grumbullim me Kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve mendoj se vjen në momentin e duhur për mua sepse kam bërë disa ndeshje të mira me Partizanin ku kam shënuar edhe gola, të shoqëruara me paraqitje të mira, – ka thënë ai. – Kjo ftesë më ka ngritur dhe moralin. Shpresoj të jap më të mirën dhe këtu. Grumbullimi i shumë lojtarëve nga Kategoria Superiore është një vlerësim edhe për kampionatin sepse shumë lojtarë janë transferuar nga Superiorja në kampionate jashtë.”
“Grumbullimi me Nën-21-vjeçarët kuqezinj besoj se i ka dhënë shumë kredite për të bërë këto transferime”, – ka shtuar Cara, i cili ka folur më tej për grupin, por edhe për objektivat e Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve. “Ne do të hymë në fushën e lojës për të dhënë maksimumin gjithmonë, – thotë ai. – Me të gjithë ҫunat jemi shumë shokë. Në Kategorinë Superiore nga kjo grupmoshë ka shumë lojtarë të mirë, që po aktivizohem shumë.”
“Dhe besoj se Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëvde do të jetë një skuadër e denjë për të përballuar ҫdo kundërshtar, – ka vijuar futbollisti i të kuqve të kryeqytetit. – Shumë të rinj në kampionat? Mendoj se tani ka më shumë vëmëndje tek të rinjtë. E kanë parë dhe drejtuesit se kur i jepet shansi atyre që kanë cilësi, kanë treguar vlerat, janë shitur jashtë dhe klubi ka pasur përfitime financiare. Ia vlen t’u japësh dorën të rinjve dhe, me sa kemi parë deri tani të gjithë e kanë shpërblyer.”
“Ftesa? Kur të vjen një ftesë nga Kombëtarja është një privilegj, gjithmonë e kam ëndërruar dhe kur je këtu gjithmonë e harron atë që ke lënë në nivel klubi. Fokusohesh te ngjyrat kuqezi dhe kërkon të bësh më të mirën këtu”, – ka përfunduar futbollisti i ri i Partizanit, Tedi Cara.