AlbanianSport.com 12/10/2018 07:55
ASNN – Skuadra kombëtare e Nën-21-vjeçarëve, që njihet ndryshe si Shpresat dhe drejtohet nga trajneri Alban Bushi, pësoi një tjetër humbje në Eliminatoret e Evropianit të kësaj grupmoshe, pasi u mund mbrëmjen e të enjtes nga bashkëmoshatarët e Spanjës me rezultatin 0-1. Në fakt, ishte një ndeshje e mirë e skuadrës kuqezi, e cila u përpoq të merrte rezultat pozitiv ndaj një prej skuadrave më të forta në botë të kësaj moshe, si dhe kryesuesja me meritë e grupit të dytë eliminator ku bën pjesë dhe ekipi i të rinjve kuqezi.
Kjo ishte humbja e 5-të në grup për ekipin e Alban Bushit, ndërsa ka marrë një fitore e 3 barazime, duke pasur në total 6 pikë dhe duke mbajtur vendin e parafundit në renditje. Mbetet dhe një ndeshje për t’u luajtur, ajo ndaj Estonisë, në fushën e kësaj të fundit, një ndeshje që shërben vetëm për statistikë, pasi nuk ka asnjë shans për tanët për të përmirësuar pozitat në renditje. Interesante për ekipin kuqezi janë shifrat që kanë të bëjnë me golavarazhin. Edhe pse mbetet ende një ndeshje për t’u luajtur, Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve ka efikasitet mjaft të dobët në sulm.
Sepse është skuadra që ka shënuar më pak në këtë grup, vetëm 7 gola në 9 ndeshje, që do të thotë ndryshe një mesatare prej 0.7 golash për ndeshje, praktikisht një shifër që nxjerr të dështuar repartin e sulmit. Edhe në mbrojtje kuqezinjtë rezultojnë të dobët, pasi ekipi ka pësuar 15 gola në 9 takime, pra një mesatare prej 1.6 gola për ndeshje, një tregues që i radhit në vendin e katërt, pasi Estonia dhe Sllovakia kanë pësuar më shumë se Nën-21-vjeçarët shqiptarë, përkatësisht 20 dhe 17 gola.
Për trajnerin Alban Bushi është me rëndësi të analizojë të dhënat, sepse skuadrës i mungojnë “goleadorët”. Jo vetëm kaq, por treguesit janë shqetësues edhe për Kombëtaren A, e cila varet nga prurjet e reja. Këto shifra na tregojnë se kuqezinjtë nuk kanë një sulmues të mirëfilltë, një golashënues që zgjidh lojën dhe rastet e skuadrës, por kjo tregon, gjithashtu, se e ardhmja në Kombëtaren e madhe në këtë aspekt është e zymtë. Tabela e mëposhtme tregon gjendjen dhe statistikat e skuadrave në grupin e dytë eliminator ku Shqipëria pozicionohet e parafundit.
Renditja e grupit të dytë
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Spanja 9 8 0 1 24-8 24
- Irlanda e Veriut 9 5 2 2 14-11 17
- Sllovakia 8 5 0 3 15-17 15
- Islanda 9 3 2 4 14-12 11
- Shqipëria 9 1 3 5 7-15 6
6. Estonia 8 0 1 7 9-20 1