AlbanianSport.com 05/10/2018 20:25
ASNN – Trajneri i Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, që njihet ndryshe si Shpresat, Alban Bushi, ka bërë të ditur sot, në orën 11:30, gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e saj, në kuadër të ndeshjeve eliminatoreve të Kampionatit Europian 2019 të kësaj grupmoshe, ndaj Spanjës dhe Estonisë.
Më pas, trajner tekniku iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve rreth situatës në grup në këtë mbyllje të ndeshjeve zyrtare eliminatore. “Spanjën e njohim mirë dhe dimë si luan, – ka thënë Bushi. – Pavarësisht se u mundëm 0-3, kemi bërë gjëra pozitive. Këtu nuk do të luajmë si në Spanjë, pasi kemi bërë përmirësime. Do të luajmë me një sulmues dhe shpresoj që sezonin tjetër eliminator ta nisim mbarë me këto.”
“Jam i kënaqur nga ndeshjet që kemi zhvilluar deri më tani, por jo nga rezultati, – ka vijuar ai. – Gjithmonë kemi pasur probleme me formacionin dhe mungesat, megjithatë loja jonë ka qenë e mirë, por që na ka munguar rezultati. Kemi qenë pa fat në marrjen e rezultateve. Herë-herë kemi gabuar. Kemi bërë gabime individuale, por nuk ka qenë aspak një ekip i shthurur.”
“Kjo të bën të ndihesh mirë, – ka theksuar trajneri i Shpresave kuqezi. – Si ekip po funksionojmë shumë mirë, por duhet të përqendrohemi te loja deri në momentin e fundit. Ne krijojmë raste, por në fund fitojnë kundërshtarët.” Ndërkohë, në mbrëmje është mësuar se trajneri i ekipit kombëtar të Nën-21-vjeçarëve, Alban Bushi, ka thërritur sot për të qenë në dispozicion të skuadrës, mesfushorin që luan në radhët e Leishoes në Portugali, Agim Zeka.
Kjo ftesë e orëve të fundit ka ardhur për shkak të mungesës së futbollistit Kristal Abazaj të Anderlehtit, i cili për arsye dëmtimi nuk mund të jetë pranë skuadrës për dy ndeshjet zyrtare eliminatore, me Spanjën dhe Estoninë. Pak orë më parë trajneri Bushi është vënë në dijeni për këtë dëmtim të lojtarit dhe ka vendosur menjëherë të thërrasë Agim Zekën.
Kuqezinjtë Nën-21-vjeçarëve, do të luajnë më datë 11 tetor, ora 19:00 kundër bashkëmoshatarëve të Spanjës, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Në ndeshjen e dytë, skuadra nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi do të luajë në fushë të huaj, ndaj Estonisë, më 16 tetor, ora 18:00, ndeshje kjo e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2019.