AlbanianSport.com 20/03/2021 18:40
ASNN – Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur të shtunën paradite në kryeqytet, trajneri i Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve, Alban Bushi, ka vënë në dukje një problem që ai ka hasur me lojtarët e vitlindjeve 2000-2001. “Datëlindje 2000 dhe 2001 nuk ka shumë në Evropë, – ka thënë ai. – Datëlindjet e ’98-ës dhe ’99-ës ishin diçka tjetër, kishte shumë lojtarë në Evropë, kurse lojtarë të ketyre datëlindjeve, 2000 dhe 2001 është e vështirë, për të gjetur lojtarë cilësorë.”
“Lojtarët që ne kemi marrë janë lojtarë të mirë, të cilët kanë minuta dhe mendoj se me punë do të bëhen dhe ata shumë të mirë, – ka vijuar trajneri. – Por lojtarë cilësorë të këtyre datëlindjeve, kemi shumë pak alternativa këtë sezon, për t’i marrë nga jashtë.” Më tej, ish-futbolli kuqezi ka folur edhe për peshën e fanellës së Kombëtares, duke theksuar se parimi kryesor duhet të jetë gatishmëria, pavarsisht se nga apo kur të vjen thirrja.
“Ky ka qenë një problem që ka qenë shumë i madh përpara disa kohëve, – ka thënë Bushi. – Tani sikur nuk është më aq i madh. Vazhdon të jetë, por nuk është më aq i madh. Mendoj që të veshësh fanellën e Kombëtares, duhet “mos të të zërë gjumi”. Në momentin që të thërret Kombëtarja, duhet të jesh gati. Se të thërret Kombëtarja e Nën-15, Nën-17, Nën-19 apo Nën-21-vjeçarëve, kjo nuk ka të bëjë. Dhe lojtarët e kampionatit shqiptar, në momentin që i thërret, janë shumë të gatshëm.”
“Lojtarët që vijnë nga jashtë dhe janë disi cilësorë dhe luajnë me një ekip më të mirë, gjithnjë preferon ekipin e të rriturve të Kombëtares, – ka vijuar kreu i stolit kuqezi të Nën-21-vjeçarëve. – Kjo është diçka e gabuar nga vetë lojtari, nga prindërit e tyre dhe menaxheri, sepse unë mendoj se Kombëtarja është deri në moshën 35-36 vjeç dhe ekipi i Shpresave është për moshën 20-21 vjeç dhe ke dhe 16 vjet për të luajtur me Kombëtaren e të rriturve.”
“Duhet të fokusohen tek Nën-21-vjeçarët, të marrin minuta dhe përvojë, që të jenë gati për tek Kombëtarja e të rriturve. Sa herë kemi grumbullime me ekipin, unë këto gjëra u flas lojtarëve. – Bluza duhet të vlerësohet maksimalisht dhe ta kenë për nder që janë pjesë e Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve”, – ka përfunduar trajneri i Shpresave, Alban Bushi. Përgjatë këtij grumbullimi janë planifikuar të luhen dy ndeshje miqësore, teksa është konfirmuar pak ditë më parë ndeshja kundër ekipit të Tiranës.