AlbanianSport.com 20/03/2021 15:40
ASNN – Shpresat e Shqipërisë do të zhvillojnë një grumbullim 10-ditor, që do të mbahet nga data 22, deri më 31 mars 2021. Trajneri kuqezi, Alban Bushi, shpjegoi listën me lojtarët e grumbulluar, ku, sërish, për shkak të epidemisë, një pjesë e lojtarëve e kanë pasur të pamundur të jenë pjesë e këtij grumbullimi rutinë, që zhvillohet përpara nisjes së fushatës së Eliminatoreve të Evropianit 2023. “Duhet pasur parasysh diçka që ne këtë sezon kemi datëlindjet 2000 dhe 2001 prioritet, sidomos 2000, por ne afrojmë edhe lojtarë të 2001-shit”, – ka deklaruar Bushi.
“Për momentin këta janë portierët më të mirë të këtyre moshave në ekipet e Shqipërisë, – ka vijuar ai. – Ne kemi pasur problem te kjo listë. Deri sot që po flasim ne e kemi ndryshuar listën disa herë sepse janë shumë lojtarë që nuk kanë ardhur. Portieri Molla, i cili është te Bolonja dhe që mendoj se do jetë nga portierët kryesorë të Nën-21-vjeçarëve këtë sezon, pësoi një dëmtim dje dhe e zëvendësuam me portierët që ju sapo përmendët. Por jo vetëm portierët, nga Anglia nuk kemi marrë asnjë lojtar. Kishim lojtarë nga Skocia, por nuk kemi marrë për shkak të epidemisë.”
“Dhe në qoftë se kthehen, bëjnë karantinë, siç janë Dobra, Pajaziti të cilët nuk kanë ardhur, – ka theksuar kreu i stolit kuqezi. – Këta i kemi zëvendësuar me lojtarët që janë cilësorë në kampionatin shqiptar, për t’i parë dhe për t’i dhënë një mundësi atyre dhe ta shikojmë nëse do e meritojnë të jenë pjesë e ekipit Nën-21-vjeçarëve në të ardhmen.” Më tej, Bushi ka folur edhe për lojtarët e kampionatit shqiptar, duke thënë: “Patjetër që ne i kemi sytë te kampionati shqiptar, kjo nuk diskutohet. Në edicionin që kaloi, ata mbajtën një peshë shumë të madhe.
“Por edhe epidemia ka ndikuar sepse kisha në plan të merrja disa futbollistë nga Anglia, por ata nuk erdhën dhe i zëvendësuam me lojtarë të kampionatit shqiptar, – ka vijuar trajneri. – Por, sidoqoftë, nëse ata e meritojnë dhe nëse ata luajnë mirë, nuk ka arsye pse të mos jenë pjesë e Nën-21-vjeçarëve. Gjithnjë Kombëtarja do të marrë më të mirën. Ne mund të kemi 30 vetë të mirë, por 23 do të vijnë. Kështu që do të presin ose duhet të luftojnë shumë, sepse edhe konkurenca i bën mirë. Ata do të jenë gjithmonë në vëmendjen tonë për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar, siç kanë qenë edhe lojtarët e tjerë të cilët tashmë janë të konfirmuar dhe janë pjesë e Kombëtares A nga kampionati shqiptar.”