AlbanianSport.com 25/03/2021 18:40
ASNN – Kristjan Asllani dhe Redon Dragoshi, dy futbollistët e Kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve kanë dalë të mërkurën në një konferencë për mediat, në kuadër të grumbullimit 10-ditor që Shpresat po zhvillojnë në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Kristjan Asllani, futbollisti shqiptar që aktivizohet në Itali me Empolin tregoi emocionet e grumbullimit për herë të dytë me Kombëtaren shqiptare si dhe tha se ky grup është shumë i mirë.
“Është diçka shumë e bukur të vish në Kombëtare, jam shumë i lumtur, – ka thënë ai fillimisht. – Kam qenë herën e parë me Kombëtaren e Nën-21-vjeçarëve ndaj Andorrës dhe Austrinë. Tani kemi dy miqësore, shpresojmë të bëjmë mirë. Grupi është shumë i mirë. Këtë radhë janë shumë djem nga Shqipëria dhe shpresojmë të bëjmë mirë në këto dy ndeshje.” Po si është konkurrenca në Kombëtare? “Po, është shumë e madhe”, – pohon Asllani.
“Në mesfushë jemi shumë, edhe atje, edhe këtu, – ka vijuar ai. – Dhe të shohim.” Çfarë ka ndryshuar tek Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve sipas Asllanit. “Kombëtarja ishte shumë e mirë, me djemtë, ishte Kallaku, Vrioni”, – përgjigjet futbollist kuqezi, i cili në mbyllje shton: “Ishte shumë e fortë dhe shpresoj që tani kjo Kombëtare të ketë atë nivel.”