AlbanianSport.com 30/11/2017 10:40
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i kërkon Federatës Botërore që shtangisti të zhvillojë garë në Shqipëri. Sipas informacionit që ka dhënë sekretari i përgjithshëm i Federatës Botërore të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, Gjoza fillimisht ka bërë një përmbledhje të të gjithë procedurës që është ndjekur për të pajisur me vizë amerikane Daniel Godellin.
Gjoza nuk ka ngurruar të bëjë me faj Komitetin Organizator të Kampionatit Botëror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse sipas tij nuk ka përdorur autoritetin për pajisjen me vizë të Daniel Godellit, që ishte pretendent për “kampion bote”. Gjoza të gjithë delegatëve anëtarë të Federatës Botërore të Peshëngritjes u ka treguar dokumentacionin e plotë.
Madje të kryer dy herë nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, si dhe garancinë e marrë nga Ministra e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për kthimin e tij në Shqipëri pas pjesëmarrjes në Botëror. Madje disa herë Gjoza e ka theksuar se do të mbanin përgjegjësi morale dhe penale si Federatë Shqiptare e Peshëngritjes nëse shtangisti nuk do të kthehej në Shqipëri.
Në të tilla kushte, kur tashmë përgjegjësia e plotë për mospajisjen me vizë amerikane të Godellit duket se është e Komitetit Organizator të Kampionatit Botëror, Gjoza ka kërkuar nga Federata Botërore e Peshëngritjes zhvillimin e një gare në Shqipëri për Godellin dhe në përfundim krahasimin e rezultateve me Botërorin e Anaheimit.