AlbanianSport.com 11/02/2019 18:25
ASNN – Trajnerët nga Shqipëria që drejtojnë në kampionatin e Kosovës po pakësohen me shpejtësi. Ka mbetur në skenë vetëm njëri, Mirel Josa, i cili drejton Prishtinën, të tjerët u largua për mungesë rezultatesh. Një vit më parë në Kosovë kishte një dyzinë trajnerësh nga Shqipëria dhe kjo ishte shenjë pozitive, por hap pas hapi “komandën” po e marrin vendasit, që siç duket janë më të përshtatur me mjedisin dhe njohin më mirë mendësinë e garës në futbollin e Kosovës.
I fundit që tërhiqet në Kosovë është trajneri Shpëtim Duro, i cili dha dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës së Dritës së Gjilanit. Ekipi i tij pësoi humbje ndaj Vëllaznimit të Gjakovës në kuadër të Kupës së Kosovës. Eliminimi i Dritës nga gara e vetme ku luftonte për trofe, solli dëshpërim dhe njëherësh dalje nga objektivat sezonale, prandaj trajneri nga Tirana ka “hapur krahun”, duke i dhënë mundësinë dikujt tjetër të përmirësojë treguesit.
Dorëheqja është pranuar nga klubi, i cili ka dalë me një komunikatë për mediat, ku falënderon Duron për punën e bërë dhe thotë: “Klubi ynë, FC DRITA, ju njofton që ka dhënë dorëheqjen kryetrajneri Duro! Pas një takimi që kishim menjëherë pas ndeshjes së djeshme, me një marrëveshje mes dy palëve është vendosur që të ndërpritet bashkëpunimi. Pas eliminimit nga Kupa e Kosovës dhe dalja nga objektivi i vetëm i klubit për këtë sezon, Duro ka ofruar dorëheqjen.”
“Gjë që është pranuar nga klubi bardhekaltër. FC DRITA e falënderon profesor Duron për punën profesionale që ka bërë me klubin dhe i dëshiron shumë suksese”, – përfundon njoftimi i klubit të Dritës.