AlbanianSport.com 25.08.2016 22:05
ASNN – Është hedhur sot në Monako shorti i fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve, i cili ka favorizuar skuadrat pretendente, duke shmangur përballjet e padëshirueshme midis të mëdhenjve. Ndeshjet e fazës së grupeve nisin në mesjavën e 13-14 shtatorit 2016, për të vijuar përgjatë 4 muajve dhe për t’u mbyllur në mesjavën e 6-7 dhjetorit 2016.
Kështu, veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, ka hedhur të enjten shortin e fazës së ndeshjeve në grupe, ku marrin pjesë 32 skuadra. Të 8 grupet e dala nga ky short kanë favorizuar skuadrat pretendente, duke shmangur përballjet e padëshirueshme midis të mëdhenjve. Midis grupeve më të barazpeshuar spikat grupi B, ku përballen me njëra-tjetrën Benfika, Napoli, Dinamo e Kievit dhe Beshiktashi.
I tillë është edhe grupi E, ku ndeshen CSKA-ja e Moskës, Bajer Leverkuseni, Totenhemi dhe Monako, si dhe grupi G, ku përballen Leister Siti, Porto, Bryzhi dhe FC Kopenhageni. Çiftet e favoriteve në grupet e tjera janë Paris SG-Arsenal, në grupin A, Barcelona-Mançester Siti në grupin C, Bajern i Mynihut-Atletiko e Madridit, në grupin D, Reali i Madridit-Borusia e Dortmundit, në grupin F dhe Juventus-Sevilja, në grupin H.
Ndeshjet e fazës së grupeve nisin në mesjavën e 13-14 shtatorit 2016, për të vijuar përgjatë 4 muajve dhe për t’u mbyllur në mesjavën e 6-7 dhjetorit 2016, nga ku do të dalin edhe 16 skuadrat që do të vazhdojnë më tej në Ligën e Kampioneve, si dhe 8 skuadrat e tjera që e vazhdojnë aventurën e tyre kontinentale në veprimtarinë tjetër, Ligën e Evropës.