AlbanianSport.com 26/08/2021 22:45
ASNN – Faza e grupeve të Ligës së Kampioneve për sezonin 2021-2022 do të sjellë edhe përplasjen e skuadrave më të pasura të Evropës. Pas tërheqjes së shortit të enjten në Stamboll të Turqisë, Paris SG-ja dhe Mançester Siti janë pjesë e Grupit A, së bashku edhe Lajpcigun dhe Klub Bryzhin i Belgjikës. Në fakt, mund të kemi përballje të Lionel Mesit me Kristiano Ronaldon, i cili po kërkon largimin nga Juventusi para mbylljes së merkatos së verës dhe gjasat janë të mëdha që të transferohet te skuadra e Mançester Sitit.
“Do të jenë përballje të veçanta, pasi Mançester Siti është një prej ekipeve më të mira në Evropë dhe ka vite që po lufton për ta fituar Ligën e Kampioneve, – ka thënë trajneri i skuadrës pariziente, Mauricio Poçetino. – Megjithatë, duhet t’i respektojmë edhe ekipet e tjera dhe të mos fokusohemi vetëm te dueli me Sitin. Të gjitha ekipet janë të forta dhe gjëja më e rëndësishme është që të jemi gati kur të fillojnë ndeshjet. Do të përpiqemi të përfundojmë të parët në grup, kjo është sfida jonë.” Bajerni i Mynihut dhe Barcelona do të përballen në kuadër të Grupit E.
Aty ku ndodhen edhe Benfika dhe Dinamo e Kievit. Bajerni e ka fituar 6 herë këtë trofe madhor kontinental, një herë më shumë se Barcelona. Për më tepër, këto dy skuadra janë përballur edhe në çerekfinalen e sezonit 2019-2020, të cilën bavarezët e fituan 8-2 në rrugëtimin e tyre drejt fitimit të këtij trofeu. “Barcelona është një ekip tjetër pa Lionel Mesin, por prapë një ekip i mirë. Benfica është një klub tradicional që gjithmonë sjell lojtarë të mirë, – ka pohuar Drejtori Sportiv i Bajernit, Hasan Salihamixhiç.
“Është një grup interesant që duam të menaxhojmë, – ka viuar ai. – Shpresojmë se nuk do të duhet të luajmë në Kiev në mes të dimrit, por seriozisht ne duam ta kalojmë grupin dhe të vijojmë më tej.” Duele të forta do të jenë edhe në Grupin B, i cili përbëhet nga Atletiko e Madridit, Liverpuli, Porto dhe Milani. Ndërkohë, Reali i Madridit do të ketë punë me Interin, Shahtjorin e Sheriff Tiraspolit, në kuadër të Grupit D.
“Kam qeshur me zë të madh, sepse është një grup shumë i fortë, – ka thënë trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop. – Është Liga e Kampionëve, kështu që do të përballemi me ekipet më të forta të Evropës, ku disa prej tyre janë pjesë e grupit tonë. Normalisht, ne kemi ambicie si gjithmonë dhe do të tentojmë që të shkojmë sa më larg në këtë garë. Në secilën ndeshje do të futemi për të fituar”.