AlbanianSport.com 03/12/2018 15:10
ASNN – Sokol Cikalleshi komenton shortin e Euro 2020-së: “Vendi i dytë plotësisht i realizueshëm”. Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, ka komentuar për mediat shqiptare shortin e grupit H për eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2020. Ai u tregua optimist dhe beson se Shqipëria ka shanse të mira të kualifikohet në Evropianin e ardhshëm. Me përjashtim të Francës që e sheh shumë lart dhe si favorite absolute për të zënë vendin e parë, Cikalleshi sheh Turqinë si rivale të fortë për vendin e dytë.
Ai nuk e përjashton edhe Islandën si rival shumë të fortë dhe me këta dy kundërshtarë Shqipëria do të tentojë të rivalizojë për vend të dytë në grup. “Çdo grup do të ishte i vështirë, – u shpreh Cikalleshi – por unë mendoj që duke veçuar Francën, është një grup i ekuilibruar, me skuadra që do të diskutojnë shanset e tyre. Turqia dhe Islanda do të jenë rivalët tanë direkt për kualifikim, por nuk duhet të harrojmë as Moldavinë, pasi ndaj të voglave ne vuajmë shumë.”
“Është grup i vështirë, por duhet ta fillojmë shumë mirë edicionin, duke marrë maksimumin në dy sfidat e para, pasi kështu rriten shpresat”, – ka shtuar ai. Cikalleshi pranon se grupi H i tanishëm është paksa i ngjashëm me grupin ku bënte pjesë Shqipëria në eliminatoret e Euro 2016-ës. “Duke krahasuar ekipet me të cilat ne do të luftojmë për vendin e dytë, si Turqia dhe Islanda, mendoj se ka shumë ngjashmëri”, shtoi sulmuesi kuqezi, që prej fillimit të sezonit, pjesë e Gëztepesë në kampionatin elitar turk
“Turqia ka pasur luhatje dhe nuk është aty ku duhet, për në eliminatore besoj se do të kenë një fytyrë krejt tjetër”, – thotë Cikalleshi, i cili, më tej analizon në tërësi skuadrën turke, duke qenë se ia njeh shumicën e lojtarëve. Katër vitet përvojë në Turqi e kanë bërë Cikalleshin “ekspert” në këtë drejtim. “Për mua është një plus, pasi luaj prej 4 vitesh në kampionatin turk dhe njoh rreth 80% të lojtarëve që luajnë për kombëtaren turke”, – theksoi më pas shtatlarti i sulmit kuqezi.
“Mua më ka munguar shumë Kombëtarja kohët e fundit dhe e kam mbështetur në distancë rregullisht, – ka vijuar ai. – Pres me padurim të rikthehem dhe po punoj fort që të arrij formën më të mirë dhe të vij, të kontribuoj për kuqezinjtë. Jam mirë dhe kam filluar të aktivizohem rregullisht, ndërsa tani shpresoj të gjej edhe golat, për të merituar edhe ftesën. Është meraku i një debutimi jo të duhur, që mund të ndikojë në gjendjen psikologjike.”
“Por unë mendoj dhe besoj se ne mund ta fitojmë ndeshjen e parë ndaj Turqisë, pasi kemi cilësi për të përballuar sfida të tilla”, – vijoi rrëfimin e tij sulmuesi i Kombëtares kuqezi. Në fund, ai trajton edhe “fërkimet” e tij me trajnerin Kristian Panuçi, duke besuar se s’ka asgjë të keqe e të gabuar në këtë marrëdhënie, aq më pak hatërmbetje apo hakmarrje. “Unë jam profesionist dhe pres momentin tim, pavarësisht se dëshiroj të jem në çdo ndeshje dhe në çdo minutë në fushë, për Shqipërinë”, – përfundoi Sokol Cikalleshi.