Nga Gjergj Vyshka 27.07.2015 10:40
Shorti i Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018” u hodh, por të gjithë kanë pranuar që mendojnë vetëm pas Evropianit. Por, si i ka Shqipëria bilancet me të tjerët. Me Spanjën rikthehemi të luajmë në Eliminatoret e Kampionatit Botëror pas dy dhjetëvjeçarësh e gjysmë. Më saktë për herë të fundit jemi ndeshur në një ndeshje shumë të diskutueshme në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, teksa më 22 shtator 1993, jemi mundur 1-5.
Po me Spanjën, nëse më 3 dhjetor 1986 në Tiranë jemi mundur 1-2, në nëntor 1987 jemi mundur 0-5. Më pas, më 1990-tën jemi mundur 0-9 dhe më 1991-shin nuk është luajtur ndeshja për shkak të trazirave në vendin tonë. Dhe në total në pesë ndeshje janë pesë humbje dhe një bilanc golash prej vetëm 2 të shënuar dhe plot 24 të pësuar, ndërsa vetëm më 1992 kemi bërë një ndeshje të ekuilibruar, pavarësisht se jemi mundur 0-3.
Me Maqedoninë numërojmë vetëm ndeshje miqësore, të cilat kanë nisur më 1994-rën në Tetovë, teksa jemi mundur 1-5 në një ndeshje krejtësisht raciste për shqiptarët. Më pas kemi fituar në shkurt 1999 në “Qemal Stafa” 2-0, për t’u mundur në prill të 2000-jës në Prilep, 0-1, sërish në një tjetër racizëm ndaj shqiptarëve. Një barazim 0-0, jashtë patriotizmave, do ta kishim më 5 janar 2002 në Bahrein. Në gusht 2003, sërish në Prilep, jemi mundur 3-1.
Dhe për fatin tonë të keq në shkurtin e 2007-ës, tashmë në Shkodër, do të na mundte Maqedonia 0-1. Dhe ndeshja e fundit është para pesë vjetësh në Korçë, 0-0. Pra janë gjithsej 7 ndeshje prej të cilave një fitore, dy barazime dhe katër humbje me një golaverazh 4-10. E me Italinë e ëndërruar kemi vetëm një ndeshje më 18 nëntor teksa jemi mundur 0-1. Kurse me Izraelin dhe Lihteshtejnin asnjë ndeshje.
E ajo që mund të na vlejë për të ditur se si luan Izraeli do të jenë dy përballjet e Nën-21-vjeçarëve për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017, sepse ka të ngjarë që një pjesë e mirë e atyre lojtarëve të jenë pjesë e përfaqësueses së të rriturve në kohën kur të nisin Eliminatoret e “Rusi 2018”. Sikurse do të mund të ndodh dhe me Lihtejshtejnin e Nën-21-vjeçarëve, të cilin, më 28 mars 2015 e kemi mundur në fushën e vet, 2-0.
Megjithatë shorti megjithëmend duket i kripur nga goglat, por shansi është që të paktën 12 pikë t’i kemi në “xhep” që në nisje. Që do të thotë dy fitore shtëpiake me Izraelin dhe Maqedoninë dhe dy fitore vajtje-ardhje me Lihteshtejnin. Më pas me Italinë e Spanjën, shumë të vështira, por jo të pamundura, “me të parë e më të bërë”. Pa thënë që po kështu do të jetë dhe ndaj Izraelit e Maqedonisë në fushë të huaj, ndonëse ky derb ballkanik duket se nuk ka për t’u shpëtuar racizmave. Megjithëse jo në masën e Beogradit.