AlbanianSport.com 25.09.2014 13:45
ASNN – Në kampin peqinas vijon puna për takimin e parë të kampionatit, atë me Tomorin të shtunën në fushë të huaj. Ndonëse dihet që skuadra nuk është mirë financiarisht, si pjesa dërrmuese e skuadrave shqiptare, ajo që nuk do të diskutohet është regjistrimi në këtë kampionat, sepse do të gjinden mënyrat për ta hequr edhe këtë “hall”.
Për sa i përket grupit të futbollistëve mund të thuhet se Shkumbini në letër do të jetë tek rangjet e larta të renditjes, ndonëse për të qenë pretendent për t’u ngjitur në Superiore duket disi larg, sepse dihet që në Kategorinë e Parë nuk mjafton vetëm krijimi i një skuadre simpatike.
Në një situatë të tillë edhe vetë tifozëria peqinase, që gjithnjë e mbështet skuadrën, sidomos në ditë të vështira, e kupton që këtë sezon nuk mund të pretendojë shumë nga ky ekip. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë dhe vetëm fusha mund ta japë verdiktin e saj, ndonëse në letër Shkumbini nuk niset shumë i avantazhuar në krahasim me kundërshtarët.