AlbanianSport.com 12.09.2016 11:35
ASNN – Futbollistët aktualë, që kanë dy muaj që stërviten nën drejtimin e trajnerit Sokol Branica, janë në pritje të pagesave mujore, të cilat do të jenë një gur prove për drejtuesit e klubit. Peqinasit kanë afro dy muaj që vazhdojnë përgatitjet e tyre për sezonin e ri futbollistik. Me shumë sakrificë është bërë e mundur grumbullimi dhe afrimi edhe i ndonjë lojtari jo peqinas për të formuar sërish grupin, që do të mbajë peshën e sezonit të ri.
Grumbullimi i lojtarëve dhe bindja që ata të jenë sërish pjesë e Shkumbinit nuk ka qenë aspak e lehtë, por tashmë gjithçka shihet me syrin e mundësisë të mbajtjes të kësaj pune, që është ngritur gjithë këto ditë. Ende çështja financiare nuk duket plotësisht e garantuar, teksa vetë merkatoja tregon se peqinasit kanë ngërç financiar. Lojtarët brazilianë, të cilët kanë qenë në provë tek ekipi peqinas dukeshin se kishin bindur trajnerin Branica për t’i bashkuar me skuadrën.
Por në momentin kur duhej folur me gjuhën e shifrave, drejtuesit e klubit kanë dhënë pamundësi financiare për t’i mbajtur (ndonëse për hir të së vërtetës këto kërkesa nuk kanë qenë shumë të larta). Po ashtu edhe këto ditë stafi drejtues i Shkumbinit ka qenë në kontakt me dy lojtarë të tjerë peqinas, të cilët do të ishin shumë të dobishëm për ekipin. Mirëpo sërish duket se ka ngërç të politikave ekonomike, që stepin drejtuesit për të kërkuar shërbimet e tyre në radhët e Shkumbinit.
E si të mos mjaftojnë këto argumente financiarë në lidhje me merkaton një tjetër gur prove i fortë për drejtuesit mbeten pagesat e pagave për lojtarët, që kanë dy muaj nën urdhërat e trajnerit Branica dhe që me të drejtë i kanë sytë tek pagesat mujore. Kjo do të jetë një garanci më shumë për të nisur me më pak vështirësi sezonin e ri, i cili nuk duket të ketë as më të voglin ndryshim nga sezoni i kaluar apo sezone të tjerë.