AlbanianSport.com 09.02.2015 14:40
ASNN – Në Peqin ka festë për barazimin e marrë ndaj Naftëtarit në Kuçovë 2-2. Jo vetëm kaq, por ka gëzim në kampin peqinas dhe për faktin e përmbysjes nga disavantazhi 0-2 në 2-2, atje ku ka vlejtur dygolëshi i Artur Maganit. E ndërsa lojtarët kanë qenë pushim, ndërsa tifozët e Shkumbinit i kanë dhënë të drejtë futbollistëve të Ilir Gjylës për relaksim, tashmë të gjithë kanë nisur të mendojnë për ndeshjen e së shtunës së ardhshme ndaj Lushnjës në Peqin.
Bardhekaltërtit e kanë vlerësuar si një sfidë të vështirë, edhe sepse luhet me kryesuesit e grupit të Jugut, të cilët janë pranë kalimit në Kategorinë Superiore. Mirëpo nisur nga objektivi madhor që Shkumbini ka teksa kërkon mbijetesën, atëherë në Peqin kërkojnë fitoren. “Miqve duhet t’i kthejmë reston teksa na kanë mundur në ndeshjen e parë, – kanë thënë peqinasit. – Sepse nëse fitojmë atëherë do të vazhdojmë të shpresojmë për të mbijetuar në Kategorinë e Parë, gjë që në fakt nuk e kishim menduar kurrë.”
“Sepse nuk parashikonim të ishim në këtë gjendje, por duhet të ishim kryesuesit e grupit të Jugut dhe për rrjedhojë pretendent kryesor për t’u ngjitur në Superiore. Megjithatë duhet të jemi të bashkuar dhe t’i qëndrojmë sa më pranë skuadrës në këto kohë të vështira për Shkumbinin”, – kanë përfunduar bardhekaltërit, që përgatiten për të sfiduar kryesuesit e Lushnjës në Peqin të shtunën e ardhshme.