AlbanianSport.com 27/05/2019 18:30
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë për mediat, se ditën e enjte ora 14:00, në Stadiumin “Loni Papuçiu” të qytetit të Fierit, do të luhet ndeshja e “play-off”-it midis dy ekipeve, Shkumbini dhe Luzi 2008, për të mësuar ekipin që do të ngjitet në Kategorinë e Parë
Siç është njoftuar më herët, Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, në interpretim të rregullores së veprimtarisë, ka informuar mbi dispozitat, në lidhje me skuadrën e cila do të plotësojë numrin e klubeve në Kategorinë e Parë për sezonin 2019-2020.
“Dy ekipet që humbasin ndeshjet e “play-off”-it do të zhvillojnë një ndeshje finale midis tyre për të përcaktuar skuadrën e tretë që do të qëndrojë ose ngjitet në Kategorinë e Parë”, – shkruhet në rregullore. Në fakt, ky është një rast i veçantë, që të dyja skuadrave u jepet një shans i dytë.
Si Shkumbini, që u mund minimalisht nga Veleçiku i Koplikut, ashtu edhe Luzi 2008 që dështoi duke u mundur 0-3 përballë Elbasanit në duelet midis vendeve të dyta të Kategorisë së Dytë dhe vendeve të parafundit të Kategorisë së Parë, përfitojnë nga përjashtimi i Kamzës nga Kategoria Superiore.
Zbritja e periferikëve të kryeqytetit jo një, por dy nivele më poshtë, la bosh një vend në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm dhe tanimë janë dy skuadrat e Shqipërisë së Mesme që do të luftojnë me njëra-tjetrën për vendin në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.