AlbanianSport.com 05.03.2015 17:55
ASNN – Shkumbini fiton “derbin” e mbijetesës me Luftëtarin, teksa merr tri pikë shumë të vlefshme përballë gjirokastriteve me një gol të shënuar nga Artur Magani në minutën e 77-të. Ka qenë një lojë e bukur dhe me ritëm nga të dyja kampet, me peqinasit të cilët e kishin jetike fitoren dhe për fatin e tyre të mirë ia dolën të merrnin rezultatin e duhur.
Nga ana tjetër, gjirokastritët rëndojnë shumë pozitat e tyre në klasifikim, ku rrezikojnë rënien në Kategorinë e Dytë. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Shkumbinit, Iliri Gjyla, ka deklaruar: “Normalisht e dinim shumë që do të ishte një ndeshje e fortë dhe emocionuese, ashtu siç edhe ndodhi në fakt.”
“Kemi bërë një lojë të mirë dhe e kemi merituar fitoren, kjo edhe për shkak të një ndryshimi skeme që bëmë, – ka vijuar ai. – E rëndësishme është që fituam dhe tani duhet të fillojmë të mendojmë për ndeshjen e ardhshme”. Ndërkohë trajneri i Luftëtarit, Bledar Devolli, ia faturoi humbjen fatit.
“E kishim përgatitur ndeshjen për ta pasur lojën nën kontroll dhe pothuasje ia arritëm, përveç një moment ku u treguam të pafat dhe që na kushtoi humbjen. Kishim mungesa në këtë sfidë, por pres një reagim në ndeshjet e ardhshme”, – ka përfunduar trajneri i gjirokastritëve.