AlbanianSport.com 22.02.2015 12:25
ASNN – Ka përfunduar në barazim pa gola sfida midis Shkumbinit dhe Dinamos, që u luajt në fushën sportive të Peqinit. Ndonëse përballë ishin dinamovitët, që synonin ngjitjen në Superiore, skuadra peqinase luajti si e barabartë, madje me pak fat mund të merrte edhe më shumë se një pikë. Nga ana tjetër, mesa duket miqtë nga kryeqyteti kishin ardhur me synimin të mos humbisnin dhe me shumë fanatizëm dhe me një Kotorr në formë shumë të mirë ia dalin paq nga “ferri” peqinas.
“Kemi bërë një lojë shumë të mirë dhe për këtë dua të përgëzoj lojtarët e mi për shpirtin e garës që dhanë në fushë, – ka deklaruar pas ndeshjes trajneri i Shkumbinit, Ilir Gjyla. -Na ka munguar vetëm goli, sepse kemi bërë gjithçka mirë, ku edhe kemi dominuar mbi kundërshtarin. E kam thënë edhe më parë që do të shihni një tjetër Shkumbin dhe ai po vjen. Gjithsesi tani na mbetet të kërkojmë maksimumin në sfidat e tjera”.
Ndërsa homologu i tij kryeqytetas, trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, ka deklaruar: “E dinim që përballë do të kishim një kundërshtar që do të na e vështirësonte shumë punën dhe në fakt ashtu ndodhi, sepse dihet që Peqini është një fushë e vështirë. Kemi pasur edhe ne rastet tona në minutat e fundit, por që për fat të keq nuk ia kemi dalë dot. Megjithatë, ashtu siç shkuan punët, jemi të kënaqur me një pikë dhe jemi ende në garë për Superioren”