Gjergj Vyshka 01.02.2015 16:25
Ka përfunduar në “paqe” pa gola miqësorja e zhvilluar në Peqin ndërmjet Shkumbinit dhe Bylisit. Dy skuadrat rivale në Kategorinë e Parë e kanë mbyllur këtë ndeshje në barazim të bardhë, në një terren disi të rënduar edhe për shkak të shirave të ditëve të fundit.
Në përgjithësi ka qenë një ndeshje e ekuilibruar nga të dyja kampet, të cilat, ndonëse kanë dhënë maksimumin për të shënuar gol, nuk ia kanë arritur dot. Kjo për meritë edhe të portierëve respektivë, por edhe sepse sulmuesit janë treguar të pasaktë në rastet që kanë pasur përballë tyre.
Ka qenë një lojë që është luajtur më shumë në mesin e fushës, me një luftë të fortë sportive nga të dyja kampet. Trajnerët e të dyja skuadrave i mëshuan më shumë idesë të provonin lojtarët që kishin në dispozicion për të parë edhe repartet në të cilat mund të kenë nevojë për përforcime, duke qenë se kampionati fillon shumë shpejt.
Në pjesën e parë ishte një Shkumbin më kërkues, ku edhe ka pasur rastet e veta me anë të Maganit, por që nuk kanë ditur të realizojnë. Ndërsa në të dytën mallakastriotët janë paraqitur më mirë, por ashtu si vendasit nuk ia kanë dalë dot që të shënonin dhe kalonin në epërsi.
Ka përfunduar gjithçka në shifrat 0-0, me trajnerët e të dy skuadrave, Gjyla dhe Nenaj, që kanë mbetur të kënaqur nga loja që kanë bërë skuadrat në fushë.
Shkumbini – Bylis 0-0
Shkumbini: Ajazi, Xhyra, E. Lundraxhiu, Turhani, E. Magani, Kafazi, Isai, Gjata, Lluca, Sulkja, A Magani. Trajner: Ilir Gjyla
Bylis: Kaloshi, Bualli, Xhafa, Kuci, Buzi, Hoxha, Metaj, Gavazaj, Pepa, Dervishi, Sako. Trajner: R. Nenaj
Gjyqtarë: G. Suka, M. Sina, M. Bitri (Peqin)