AlbanianSport.com 23.10.2014 16:20
ASNN – Shkumbini ka mundur minimalisht Butrintin 1-0 me një gol të shënuar nga Dervishi në minutën e 10-të, ndërsa kështu është kthyer tek fitorja pas dy humbjeve radhazi. Ka qenë një lojë më e mirë ajo e djemve që stërviten nga Ilir Gjyla, ku kanë pasur shumë raste shënimi, por kanë finalizuar vetëm një herë.
Nga ana tjetër, edhe miqtë nga Saranda janë munduar të bëjnë lojën e tyre, por që për fat të keq nuk dolën dot me pikë nga fusha e Peqinit. Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Shkumbinit, Ilir Gjyla, tha: “Në këtë ndeshje ne na duhej një fitore dhe për fat të mirë ia dolëm për të marrë tri pikët.”
“Mendoj se ne e merituam me atë se çka dhamë në fushë, por është shumë e rëndësishme që të ruajmë vazhdimësinë edhe në takimet e tjera”, – shtoi ai. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Butrintit, Mustafa Hysi, ia atribuoi humbjen faktit që skuadra e tij erdhi në Peqin pa disa titullarë.
“Vinim pas disa mungesave të rëndësishme në këtë ndeshje, ku në sulm mungonin Rraboshta me Mustafajin dhe nuk mundëm që t’i plotësojmë dot këto boshllëqe. I uroj suksese Shkumbinit, i cili e meritoi fitoren”, – ka përfunduar gjirokastriti i pankinës sarandjote, Hysi.