AlbanianSport.com 11.01.2016 20:05
ASNN – Lionel Mesi është shpallur sonte fitues i “Topit të Artë” për vitin 2015. Sulmuesi argjentinas sapo mori çmimin e lakmuar nga të gjithë futbollistët në ceremoninë e zhvilluar në Zyrih dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kjo është hera e pestë që Mesi e merr këtë trofe individual, duke vendosur një rendord të ri. Në treshen finale ishin edhe portugezi Kristiano Ronaldo dhe braziliani Nejmar.
Kështu pra, është sërish Lionel Mesi, për herë të pestë, fitues i “Topi të Artë”. Në ceremoninë spektakolare të organizuar në Zyrih të Zvicrës dhe, ku si asnjëherë në këtë 10-vjeçar të fundit mungonte Sep Blater dhe Mishel Platini, argjentinasi u kurorëzua si futbollisti më i mirë i 2015-s, pas votimit të gazetarëve, të trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare. Në garë për futbollistin më të mirë për vitin që lamë pas ishin Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, si dhe braziliani Nejmar.
Argjentinasi zhvilloi një sezon të shkëlqyer vitin e kaluar me Barcelonën, duke arritur të fitojë 5 trofe nga 6 të mundshëm. Ndërsa me Argjentinën, Mesi arriti deri në finalen e Kupës së Amerikës Latine, të humbur më pas ndaj Kilit në finale. Argjentinasi shtatshkurtër është tashmë në histori të futbollit botëror, duke u bërë futbollisti i parë që shpallet plot 5 herë më i mirë në planet. Kujtojmë se Mesi e kishte fituar këtë çmim edhe në vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012.