AlbanianSport.com 30/03/2019 22:40
ASNN – Derbi Tirana-Partizani vishet me të kuqe, por të dyja rivalet e kanë siguruar 4-shen e parë. Tirana dhe Partizani u përplasën të shtunën midis tyre në kuadër të javës së 18-të të Superligës së meshkujve, një ndeshje që, edhe në ditën e tij më të keqe mbledh vëmendjen e krejt kampionatit. Për herë të parë në shumë vite, duhet pranuar fakti që ka të bëjë me kryesimin, ku dy rivalët e mëdhenj kryeqytetas nuk janë favoritë për titullin.
Sepse Durrësi është shndërruar në kryeqendër e suksesit në basketboll për meshkuj këtë edicion. 10-minutëshi i parë i derbit të kryeqytetit përfundoi me shifrat 22-21 në favor të bardhebluve, të cilët, pavarsisht vështirësive të këtij sezoni, ia kanë dalë me sukses të rivalizojnë dhe ta mbajnë Tiranën në garën e titullit, pasi dihet që titullin e fiton skuadra që arrin të shkojë në finale e “play-off”-it. Diferenca e ngushtë në lojë e rezultat u tregua edhe gjatë 10-minutëshit të dytë, të cilën e fitoi Partizani me shifrat 16-14.
E thënë ndryshe, kur ishte luajtur vetëm gjysma e parë e ndeshjes, Partizani udhëhiqte me vetëm një pikë, konkretisht me rezultatin 37-36. Rivaliteti shumë i fortë për çdo top e në çdo aksion, por edhe kapacitetet pak a shumë të njëjta, bënë që edhe dy pjesët në vijim të jenë të barazpeshuara. Kështu, 10-minutëshi i 3-të u fitua nga Tirana me shifrat 21-15, por Partizani bëri diferencën në atë të 4-t të cilin e fitoi me shifrat 23-18.
Në total, të dyja skuadrat kishin shënuar 75 pikë secila dhe për të përcaktuar fituesin u desh të luhej shtesa 5-minutëshe, e cila rezultoi me shumë fat për Partizanin. E vërteta është se të kuqtë u treguan tepër të shkathtë në këtë kohë shtesë, duke qenë sidomos të saktë në veprimet dhe goditjet e lira. Si përfundim, Partizani e fitoi këtë kohë shtesë me shifrat 16-5 dhe krejt takimin me rezultatin 91-80.
Duke marrë kështu një dypikësh të vyer, që e konsolidon në vendin e 3-të, e duke lënë pas rivalen e saj të vjetër, Tiranën, e cila ndodhet në vend të 4-t, por e pashqetësuar nga ekipet e fundit, Kamza dhe Vllaznia, kështu që “play-off”-i është i garantuar për të dy konkurrentet kryeqytetase.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit Meshkuj
Superliga
Java e 18-të
Të premten, 29 mars 2019:
Kamza Basket – Vllaznia 108-92
(26-21, 25-25, 23-20, 34-26)
Të shtunën, 30 mars 2019:
Goga Basket – Teuta 87-81
(29-17, 21-27, 18-15, 19-22)
Tirana – Partizani 80-91
(22-21, 14-16, 21-15, 18-23, shtesë 5-16)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp + / – Pikë
- Goga Basket 18 16 2 1663-1393 270 34
- Teuta 18 13 5 1593-1348 245 31
- Partizani 18 10 8 1473-1358 115 28
- Tirana 18 8 10 1430-1491 -61 26
- Kamza 18 4 14 1368-1662 -300 22
- Vllaznia 18 3 15 1398-1657 -259 21