ASNN – Për këshilltarin e Këshillit Bashkiak të Shkodër, Vioresin Sinani, i cili mban edhe postin e Kryetarit të Komisionit të Sporteve pranë këtij organi, fondi i planifikuar për sektorin e sportit nuk është i mjaftueshëm për vetë kërkesat dhe nevojat e shumta që ekzistojnë në ekipet e ndryshme kuqeblu.
Nga sa bën të ditur Sinani, këtu bëhet fjalë për të dy klubet sportive, atë të futbollit dhe të shumësportëshit, që për hir të së vërtetës, pjesa më e madhe janë ekipe elitare në kampionatet ku marrin pjesë. Fillimisht ish-goleadori kuqeblu, që me 36 golat e shënuar në një kampionat vijon të mbajë akoma në fuqi rekordin e tij personal, flet për futbollin ku natyrisht aty i dhemb edhe më shumë pasi ka një jetë të tërë që ka luajtur në fushën e lojës.
Shqetësimi që ka Sinani për problematiken e buxhetit në fushën e sportit shikohet qartë edhe në faktin se, pas emërimit më të fundit në stafin teknik të kombëtares së futbollit të femrave, sapo ka përfunduar ndeshja miqësore Hungari-Shqipëri, ka udhëtuar veçmas skuadrës në mënyrë individuale për të kapur në kohën e duhur mbledhjen e Këshillit Bashkiak, pikërisht për të shprehur këto opinione.
Kështu, shifrën prej 500 milion lekësh të vjetra, që Këshilli Bashkiak ka menduar t’i akordojë KF Vllaznia, ai e konsideron të ulët. Duke sqaruar se 200 milion do të shkojnë për borxhet që klubi ka trashëguar më përpara, 70 të tjera për stafin dhe 30 për Akademinë Vllaznia, i mbetet që për skuadrën të jenë vetëm 200 milion.