AlbanianSport.com 20/01/2019 18:25
ASNN – Merkato për Evropën, Shkëndija bën goditjen e dytë të madh, pas Ibraimit vjen Husmani. Shkëndija e Tetovës ka shpërthyer fuqishëm në merkato, duke bërë blerje emrash të spikatur, blerje që i do për veprimtaritë kontinentale. Natyrisht, ambicia kryesore është të fitojë titullin kampion, pra të ruajë titullin, ndërsa më pas të luajë në Ligën e Kampionëve ose, më e pakta, të pretendojë fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
Pas Agim Ibraimit, që u cilësua një superblerje, Shkëndija bëri goditjen e dytë të madhe në këtë merkato dimri, duke kthyer në Maqedoni pas 7 vjetësh mesfushorin Zeni Husmani. Ishte trajneri Qatip Osmani që e kërkoi lojtarin dhe klubi tetovar ia plotësoi dëshirën, nisur dhe nga të dhënat pozitive të mesfushorit, i cili vërtet muajt e fundit ka luajtur në ligën turke, por pa sukses, më parë për shumë vite ai ka qenë pjesë e Domzhales në kampionation slloven.
28-vjeçari e njeh mirë kampionatin e vendit fqinj, sepse ai ka lindur në Gostivar, zonë aq e njohur shqiptare në Maqedoni. Ka përvojë dhe teknikë, kështu që i shërben Shkëndijës në objektivat e saj. Ky është afrimi i dytë që kuqezinjtë e Tetovës kanë kryer në këtë merkato janari, por informacionet thonë se Shkëndija do të vijojë të afrojë edhe ndonjë element tjetër që do të rrisë forcën e grupit për sezonin në vijim dhe siç thamë për të realizuar objektivat në Evropë.