AlbanianSport.com 17/02/2019 20:30
ASNN – Maqedonia e Veriut flet shqip, Shkëndija e Tetovës thyen Vardarin dhe sheh drejt titullit. Shkëndija e Tetovës është skuadra shqiptare më e mirë në rajon e dy viteve të fundit, pasi ka dalë kampione e Maqedonisë, por njëherësh ka pasur një ecuri mjaft të mirë në Ligën e Evropës, ku ka shkuar deri në fazën e “play-off”-it. Edhe këtë sezon Shkëndija është në vend të parë në kampionatin maqedonas, duke qenë gjithnjë e më afër trofeut kryesor të futbollit në vendin fqinj.
Të dielën, Shkëndija mposhti me rezultatin e ngushtë 1-0 Vardarin, rivalin e saj kryesor, skuadrën që është më afër tetovarëve në renditje, por që pas kësaj disfate duket se heq dorë nga titulli. Fatet e ndeshjes u vendosën që në pjesën e parë, kur Omar Imeri realizoi në minutën e 23-të. Kaq mjaftoi që Shkëndija ta ruajë epërsinë deri në fund dhe ta fitojë ndeshjen me rezultatin 1-0.
Pas kësaj fitoreje, Shkëndija e Tetovës krijon një distancë sigurie nga Vardari, teksa shkëputet me 8-të pikë në krye të renditjes, duke qenë pretendentja kryesore për të triumfuar në fundin e kampionatit, çka do të ishte titulli i 3-të në historinë e klubit tetovar. Edhe skuadra tjetër shqiptare, Shkupi, mori një pikë me vlerë përballë Akademisë Pandev, duke forcuar pozitat e tij në mesin e renditjes. Më poshtë jepen rezultatet e kësaj jave në kampionatin elitar maqedonas, ku “ligjin” e bën pikërisht skuadra shqiptare e Shkëndijës së Tetovës.
Liga e parë e
Maqedonisë Veriore
Java e 19-të:
Akademija Pandev – Makedonija 3-0
Pobeda – Bolesika 1-1
Rabotniçki – Renova 1-1
Shkëndija Tetovë – Vardar 1-0
Sileks – Shkupi 2-2
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Shkëndija Tetovë 43
- Vardar Shkup 35
- Akademija Pandev 33
- Rabotnicki Shkup 27
- Shkupi 24
- FK Renova 22
- Makedonija GjP 21
- FK Sileks 19
- Pobeda 18
- Belasica Shtrumicë 18