AlbanianSport.com 02/02/2024 17:45
ASNN – Duke folur për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit, Bledi Shkëmbi, deklaroi se të drejtonte ekipin kombëtar të Nën-19-vjeçarëve është një ëndërr e bërë realitet. “Të drejtosh një Kombëtare është një kënaqësi, është një ëndërr, – ka thënë ai fillimisht. – Për të qenë i sinqertë e kam pasur gjithmonë ëndërr, ashtu siç e kanë lojtarët ashtu e kemi edhe ne trajnerët ëndërr të stërvisim ekipin kombëtar pavarësisht moshës që është. Patjetër që dua të falënderoj Drejtorin Teknik, i cili më bëri këtë ofertë dhe sinqerisht mu plotësua një ëndërr që shpresoj ta vazhdojë gjatë.”,
Shkëmbi më pas vlerësoi ndryshimin e madh që ka përjetuar FSHF dhe futbolli shqiptar, veçanërisht në infrastrukturë, duke e krahasuar me kohën kur ai ka përfaqësuar ekipin Kombëtar si futbollist. “Përsa i përket pjesës së ndryshimit mendoj që është si nata me ditën, në çdo aspekt që nga mënyra e stërvitjes, nga mënyra se si punohet dhe nga ngritja e një administrate të madhe futbolli, – ka thënë ish-futbollisti korçar. – Unë me të vërtetë kisha dëgjuar nga jashtë por tani nga brenda po e shikoj dhe ndjejë kënaqësi që jam në të njëjtën “anije” me këtë grup të madh e të suksesshëm.”
“Sepse po shikoj që Kombëtarja jonë po korr sukses edhe ne shpresojmë që futbolli i moshave të ndjek hapat e Kombëtares së madhe”, – theksoi ai. Në fund të prononcimit, trajneri i ri i ekipit kombëtar të Nën-19-vjeçarëve, vlerësoi edhe projektin e ndërmarrë nga Drejtoria Teknike në FSHF, “Step by Step” (Hap pas Hapi), i cili i jep mundësinë trajnerëve të ekipeve Kombëtare të moshave të punojnë çdo javë në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit” me lojtarët vendas, të cilët janë pjesë e klubeve dhe akademive shqiptare.
“Jam i bindur që projekti “Step by Step” do të na ndihmojë shumë, – ka thënë ai. – Mendoj jo vetëm ne si staf duke parë nga afër pothuajse çdo javë futbollistët të cilët ne mendojmë t’i kemi në grupin kryesor. Por jam i bindur që edhe futbollistët do të kenë një shans për të na treguar dhe ajo që është më e rëndësishmja do të kenë një shans që këtë fanellë të bukur ta veshin gati çdo javë, të stërviten në një ambient të mirë, me kushte shumë të mira. Shpresoj dhe jam i bindur se të dyja palët do të kemi përmirësim”, – përfundoi Bledi Shkëmbi.