AlbanianSport.com 08.11.2016 11:10
Reshjet e mëdha që kanë rënë dhe që pritet të bien, por mbase edhe çështjet e sigurisë kanë bërë që stadiumi i ndeshjes Shqipëri-Izrael, të ndryshojë adresë. Tanimë, takimi i 12 nëntorit 2016 nuk do të luhet në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, por në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Ndonëse një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende nga Federata Shqiptare e Futbollit, ka qenë homologia e saj, Federata Izraelite e Futbollit, e cila ka pohuar zhvendosjen e ndeshjes.
Në një postim në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Federata Izraelite ka konfirmuar se ka dhënë miratimin e saj për ndryshimin e stadiumit, nga ai i Shkodrës, tek ai i Elbasanit.
Kujtojmë këtu se për shkak të kushteve atmosferike në Shkodër, edhe takimi i 5 shtatorit me Maqedoninë, u ndërpre në çerekorën e fundit të tij, për të vazhduar të nesërmen.
Duke patur parasysh kushtet aktuale të motit, duket se ndryshimi i stadiumit është bërë pikërisht për t’i paraprirë përsëritjes së një gjëje të tillë.