AlbanianSport.com 01/04/2019 20:20
ASNN – Disiplina përjashton tifozët e Tiranës nga stadiumi për pjesën e mbetur të sezonit, e pësojnë edhe zyrtarët e Laçit. Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit, mori vendim këtë të hënë në lidhje me ngjarjet negative të ndodhura në stadiumet e futbollit në të gjitha kategoritë në fundjavën që lamë pas. Në fokus të Disiplinës ka qenë kryesisht dhuna e ndodhur në mjediset e Stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Aty ku pas përfundimisht të ndeshjes Tirana-Laçi, e mbyllur në barazim 1-1 nëpërmjet episodesh të diskutueshme, në korridorin që të çon në dhomat e zhveshjes pati përplasje fizike midis dy kampeve dhe ku protagonist u bënë zyrtarët e klubit kurbinas me sulmuesin e Tiranës, Majkëll Ngo. Tirana e ka pësuar nga këto ngjarje, pasi është ndëshkuar nga Komisioni me 4 ndeshje pa spektatorë.
Që do të thotë se nga dhjetë ndeshje që kanë mbetur gjithsej, Tirana do të luajë në fushën e saj vetëm ndeshjen e fundit të kampionatit. Shkak për vendimin duket se është bërë goditja me shishe në kokë e gjyqtarit anësor. Ndërsa zyrtarët e klubit kurbinas, si presidenti i Laçit, Pashk Laska, djali i tij Kleo Laska, si dhe ndihmëstrajneri Hima, janë pezulluar me 3 dhe 9 ndeshje pezullim.
Më poshtë jepen të plota vendimet e Komisionit të Disiplinës të zbardhura sot pasdite për mediat.
Vendimet
1.KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, në bazë të Nenit 66/3/b të KDS, dënohet me zhvillimin e 4 (katër) ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës.
- Lojtari i KF “Tirana”, Michael Ayodeji Ngoo, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
- Zyrtari i KF “Tirana” , Emanuel Egbo , për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
- Zyrtari i KF “Laçi” , Pashk Laska, për sjellje jo sportive ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktivitetet. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në stadium, në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës apo stolat e rezervave.
- Zyrtari i KF “Laçi”, Kleo Laska, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/b të KDS, dënohet me 9(nëntë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
- Zyrtari i KF “Laçi”, Klevis Hima, për sulm ndaj kundërshtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/b të KDS, dënohet me 9(nëntë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
- FK “Partizani”, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatorëve do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që parashikon Kodit i Disiplinës Sportive dhe rreglloret e tjera të FSHF.
- KF “Vllaznia”, paralajmërohet se në rast përsëritje të vonesave në fillimin e lojës do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që parashikon Kodit i Disiplinës Sportive dhe rregulloret e tjera të FSHF.
- Zyrtari i KF “Shënkolli” , Albert Rrusti, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
- Zyrtari i KF “Vora”, Rezart Maho, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet.