AlbanianSport.com 06/01/2018 20:35
Një opinion i goditur nga një njohës i mirë i lëmit, siç është gazetari i njohur sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, Gjergj Vyshka.
Më 2 mars të vitit të kaluar, Ministria e Arsimit dhe Sportit, pat organizuar një takim me të gjithë gazetarët sportiv për të kërkuar mendim për ligjin e ri të sportit. E duke qenë se deri në atë periudhë ishin zhvilluar të gjitha asambletë zgjedhore, në një shumicë formale, sepse zgjidhen po të njëjtët presidentë, pare dhe statusin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (e zeza në të bardhë, presidenti nuk zgjidhet më shumë se sa dy mandate radhazi), pata hedhur idenë e sanksionimit të mandateve.
Sepse Federatat po kthehen si shtëpi banimi, atje ku gjithçka është vetëm e imja. Mirëpo sigurisht që nuk u miratua, në heshtje u pëlqye si ide nga drejtuesit e Drejtorisë së Sportit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por që treguan se ishin të pafuqishëm për ta bërë atë që duhet. Madje u cilësua si ndërhyrje në pavarsinë e institucioneve sportive. E jo vetëm kaq, por ideja e “vetting”-ut edhe në sport është quajtur si shfrenim fantazie. Po sot, çfarë po ndodh?
Sërish do të kemi mbretërim të të njëjtëve persona, pse jo deri në moszhvillim asamblesh zgjedhore nëpër Federata, apo ne rastë më të këqia kërkesë për asamble të jashtëzakonshme (tipike mundja dhe boksi) sa herë që gjërat e presidentit nuk shkojnë në interes të komunitetit. Sa për statistikë, më i vjetri në presidencë është Shkëlqim Mema i Federatës Shqiptare të Skive (plot 27 vjet president) dhe më i riu Arjan Rizaj i ndeshjeve të lira dhe Vladimir Rada i sportit shkollor.
Sepse kemi frikë nga ndryshimi, kemi frikë ta themi dhe atë që diskutohet nëpër tavolina me njëri-tjetrin. Pranojmë çdo gjë dhe komunitetet sportive janë thjesht për të ngritur duart dhe të miratojnë me kokë edhe atë që mund të jetë në dëm të tyre. Do të vazhdojmë të mos kemi gare dhe gjithçka do të vijohet të kalohet qorrazi. Nuk dua të ofendoj askënd, sepse realisht futbolli e ka rritur nivelin që nga momenti i përfaqësimit në Kampionatin Evropian “Francë 2016”, apo kalimin në fazën e grupeve të Skënderbeut në Ligë e Evropës.
Apo rregullimi i stadiumeve të paktën në Superiore. Por më pas pjesa e poshtme e piramidës duket e zhytur ne llum, atje ku të gjithë ankohen për shtrembërime e parregullsi në kurriz të tyre, por që asnjeri nuk ka guxim të flasë. Kështu do të ndodhë dhe më 7 shkurt, do ta hedhin letrën në kuti qorrazi e të nesërmen i njëjti avaz; të gjithë ankohen dhe flasin për pakënaqësi, faqet e gazetave mbushen me deklarata, por askush nuk pranon ndryshimin.
Kështu do të vazhdohet në të gjitha disiplinat sportive, sepse të gjithë kanë nisur të marrin dore nga futbolli si industri e rëndë, ndërsa te gjithë këta presidentë duket sikur do ta marrin Federatën më vete në botën e përtejme…