AlbanianSport.com 11/06/2018 14:25
ASNN – Franko Burraj duket se do të jetë e ardhmja e 400 metrave për meshkuj në atletikë. Brenda një viti, nga Ballkaniada e të rinjve, atje ku zuri vendin e 4-t, me kohën 49″05, tek Kupa e Mesdheut për Nën-23-vjeçarët dje në Xhesolo të Italisë, ku e mbylli i 8-ti me 47″08, ka një progres të jashtëzakonshëm prej gati dy sekondash.
Jo vetëm kaq, por, nga gjysmëfinalja e së shtunës, me kohën 47″67, tek finalja e djeshme, me kohën 47″08, ka një hov prej 59 të qindtat në rezultat, që është më i miri i sezonit. Por të tjerë, për më tepër specialistë të atletikës shqiptare, thonë që është më i miri i karrierës, ndërsa nuk ka më shumë se sa dy vjet që merret me atletikë.
Hëpërhë, ai është vetëm 26 të qindtat larg rekordit kombëtar për të rritur, që mbahet nga Ilir Xhani, me kohën 46″81. Dhe, për më tepër, Burraj është vetëm 20 vjeç. Talent që ndoshta shumë shpejt mund të na bëjë krenarë e që duhet punuar, përtej diferencave me kundërshtarët (vendi i parë në Xhesolo ishte 45″55).