AlbanianSport.com 08/03/2019 18:25
ASNN – Java e 15-të e Grupit A të Kategorisë së Parë në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit të Femrave nisi të premten me dy duelet e para të saj, ku ra në sy fitorja e Shoqatës së Basketbollit “Tirana” e trajneres Mirza Alibegaj, e cila mposhti Vllazninë me rezultatin 89-51. Shifrat tregojnë qartë dominimin e skuadrës kryeqytetase, e cila me fitoren e sotme ka marrë përkohësisht kreun e renditjes.
Kësisoj, ajo pret e qetë duelin më të rëndësishëm të kësaj jave, atë mes Flamurtarit dhe Shoqatës së Klubit të Basketbollit “Tirana” të trajnerit Erdal Borova. Sa i përket ndeshjes së të premtes në kryeqytet, duhet thënë se skuadra e Alibegajt ishte shumë më lart dhe takimi ngjante me një seancë stërvitore. Vllaznia me vajza të reja u duk e pafuqishme.
Por edhe pa përvojë për të marrë maksimumin ndaj një ekipi që është fuqizuar së tepërmi në merkato dhe lakmon titullin e këtij edicioni. Sa u përket pjesëve, SHBF Tirana i fitoi të katërta, përkatësisjt me shifrat 22-12, 25-18, 14-12 dhe 28-9, duke fituar krejt ndeshjen me rezultatin 89-51, pra me 38 pikë diferencë, një epërsi që tregon qartë diferencat midis dy skuadrave.
Por, njëherësh, edhe potencialin e madh të skuadrës së Alibegajt që me ecurinë e javëve të fundit dhe lojërat që ka zhvilluar shfaqet si pretendente kryesore për të fituar titullin. Ndërkohë, po të premten, u luajt dueli tjetër i kësaj jave, ai mes Studentit dhe Elbasanit, një duel mjaft i fortë dhe me rivalitet nga fillimi e deri në fund. Por Studenti ia doli të marrë një dypikësh me vlerë për renditjen.
Pasi me këtë fitore shpëton nga rënia direkte, të paktën teorikisht, sepse Elbasani regjistroi disfatën e 15-të në 15 takime të luajtura. Sa u përket pjesëve, ato ishin të baraspeshuara në tërësi, madje pati momente kur Elbasani tentoi surprizën e madhe, të paktën për të regjistruar fitoren e parë sezonale, por nuk ia doli. Të katër 10-minutëshat përfunduan me shifrat 9-17, 18-14, 19-19, 19-11.
Krejt ndeshjen e fitoi Studenti me rezultatin 65-61. Janë vetëm 4 pikë diferencë që tregojnë rivalitetin e madh në këtë takim, por dukshëm Studenti regjistroi një sukses që mund të jetë vendimtar për qëndrimin në kategori. Kurse Elbasani është zhytur në fund dhe pret në mënyrë të pashmangshme (nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli e çastit të fundit) rënien një kategori më poshtë.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit Femra
Kategoria e Parë
Grupi A
Java e 15-të
Të premten, 8 mars 2019:
SHBF Tirana – Vllaznia 89-51
(22-12, 25-18, 14-12, 28-9)
Studenti – Elbasani 65-61
(9-17, 18-14, 19-19, 19-11)
Të shtunën, 9 mars 2019:
Flamurtari – SHKBF Tirana (11:00)
Pallati i Sportit, Vlorë
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- SHBF Tirana 15 12 3 27
- SHKBF Tirana 14 12 2 26
- Flamurtari 14 10 4 24
- Vllaznia 15 7 8 22
- Studenti 15 3 12 18
- Elbasani 15 0 15 15