AlbanianSport.com 30.10.2014 23:45
ASNN – Siç pritej, incidenti i 14 tetorit me objektin fluturues në Stadiumin e Partizanit të Beogradit, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ka shërbyer si pikënisje e një rishikimi tërësor të legjislacionit dhe administrimit të këtyre pajisjeve fluturuese. Kështu, vendimi më i fundit i marrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga organizmi që rregullon aviacionin civil është se përfundon në burg kushdo që piloton avionë pa pilot, mini-helikopterë apo mjete të vogla, nëse i fluturon ato afër stadiumeve!
Përfundon në burg kushdo që piloton avionë pa pilot, mini-helikopterë apo mjete të vogla nëse i fluturoni afër stadiumeve! Ky është vendimi më i fundit i marrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga organizmi që rregullon aviacionin civil. Sipas mediave amerikane, një vendim i tillë i Administratës së Aviacionit Kombëtar, që njihet shkurt si FAA, është marrë pas asaj që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit gjatë ndeshjes midis Serbisë dhe Shqipërisë, të vlefshme për Eliminatoret e Evropianit “Francë 2016”.
FAA ka paralajmëruar këdo që bën një veprim të tillë se do të mund ta dërgojë në burg. Kësisoj, sipas këtij organizmi shtetëror amerikan, stadiumet janë shpallur si vende të mbrojtura ajrore. Ky ligj përfshihet për të gjitha stadiumet dhe fushat e hapura kur numri i tifozëve është i madh. Në fakt, avionët pa pilotë janë përdorur me mjaft sukses në operacione ushtarake, në operacione shpëtimi, për shuarjen e zjarreve apo për qëllime bujqësore, ndërsa pajisjet si ajo që u vërejt në qiellin e Beogradit, kanë patur më tepër qëllime civile dhe komerciale.
Siç pritej, incidenti i 14 tetorit me objektin fluturues në Stadiumin e Partizanit të Beogradit, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ka shërbyer si pikënisje e një rishikimi tërësor të legjislacionit dhe administrimit të këtyre pajisjeve fluturuese, që deri më tani ishin konsideruar në fazën e tyre eksperimentale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur hapin e parë, ndërsa shumë shpejt shembullin e saj ta ndjekin edhe vendet evropiane.