AlbanianSport.com 13.01.2015 14:25
ASNN – Xherdan Shaqiri ka treguar se kohët e fundit kishte marrë disa oferta, por që në fund kishte vendosur t’i bashkohej Interit, pasi besonte më së shumti në projektin e klubit të Serisë A. “Kisha shumë mundësi dhe oferta mjaft të majme, – ka rrëfyer shtatshkurtëri shqiptar i përfaqësueses zvicerane, duke folur për mediat italiane. – Kam biseduar në telefon me trajnerët, të cilët m’i kanë shpjeguar idetë e tyre.”
“Mirëpo, kam dëgjuar se Interi kishte bërë më shumë për mua, – ka vijuar ai. – E ndieja brenda se Interi do të ishte zgjedhja e duhur, sepse jo vetëm klubi, por edhe shumë njerëz të tjerë dëshironin që unë të vija këtu.” 23-vjeçarit i ka bërë përshtypje pritja që i bënë tifozët e Interit, me të mbërritur në Itali. “Ishte një gjë e çmendur, kam mbetur i goditur nga të gjithë tifozët”, – ka pohuar ai.
“Nuk kam pritur kurrë më shumë në një aeroport. Ishte një situatë mjaft delikate për sigurimin, por ishte gjithçka e bukur”, – ka shtuar futbollisti i përfaqësueses zvicerane. Ndërkaq, Drejtori i përgjithshëm i Interit, Marko Fasone, ka bërë të ditur se përforcimi i ri, Xherdan Shaqiri, do të mbetet në klub për një kohë të gjatë. Ylli kosovar iu bashkua “zikaltërve” më herët gjatë kësaj jave, duke ardhur nga Bajerni i Mynihut.
Dhe, duket se e ardhmja e tij do të jetë në “Xhuzepe Meaca”. “Kemi kaluar një javë me shumë angazhime, duke realizuar marrëveshje të rëndësishme si Podolski e Shaqiri. Kjo do të thotë se kemi bërë punë në periudhë afatgjate”, – u shpreh zyrtari i klubit të Interit, duke folur për “Sky Sport”.