AlbanianSport.com 24.06.2016 15:15
ASNN – Sipas gazetës sportive lokale në Internet, “Shkodrasport.com”, shahistët e Vllaznisë, kanë zhvilluar të shtunën e kaluar turne miqësor në Ulqin, teksa janë ndeshur me shahistët e këtij qyteti. Një veprimtari e tillë është organizuar në kuadrin e bashkëpunimit në mes sportistëve të dy qyteteve, i cili ka qenë i vazhdueshëm.
Në përbërje të ekipit shkodran kanë qenë shahistët e njohur Muhamet Gradeci, Bernard Leka, Paç Ashiku, Dedë Gavoçi, Edmond Hoxha, Gëzim Ndoka, Arben Çuliqi dhe Elvis Tavjasa. Në ballafaqimet mes shahistëve të dy ekipeve ka pasur jo pak rivalitet e kjo dëshmohet dhe në rezultatin përfundimtar të takimit, që ka qenë i barabartë, 3.5 me 3.5.
Në ditët e ardhshme pritet që shahistët ulqinakë t’u kthejnë vizitën në Shkodër homologëve të tyre dhe kjo gjë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kuptohet që të tilla veprimtari duhet që të jenë të shpeshta, sepse ndihmojnë jo vetëm në rritjen e miqësisë, por edhe të cilësisë sportive. Ballafaqime të tilla kanë vlera të mëdha në vetvete.