Gjergj Vyshka 06.09.2016 08:00
Turi i katërt i Olimpiadës Botërore të Shahut, që është dukeu zhvilluar në Baku, ka qenë tronditës për kombëtaren e djemve, e cila drejtohet nga Fatos Muço. Bangladeshi, që, në një farë mënyre, konsiderohet një vend i humbur në Azi, ka pasur katër mjeshtra të mëdhenj ndërkombëtarë aq sa për të mundur Shqipërinë.
Vetëm një barazim i Dritan Mehmeti, që është shahisti më i mirë i kombëtares, dhe më pas humbje për Erald Dervishin, të vetmin mjeshtër të madh ndërkombëtar që ne kemi, humbje për Ilir Seitajn (Mjeshtër Ndërkombëtar) dhe humbje për Franc Ashikun (Mjeshtër i FIDE-s).
Për rrjedhojë kemi mbetur në kuotën e katër pikëve, dy fitore dhe dy humbje, ndërsa në pikë tavolinash kombëtarja ka grumbulluar 8 pikë. Respektivisht Erald Dervishi 1.5 pikë në katër ndeshje, Dritan Mehmeti 3 pikë në katër ndeshje, Ilir Seitaj 2 pikë në tre ndeshje, Franc Ashiku 1 pikë në tre ndeshje dhe Llambi Pasku 0.5 pikë në 2 ndeshje.
Për momentin teksa kanë mbetur dhe shtatë ture deri në përfundim të Olimpiadës, Shqipëria e djemve është në vendin e 79-të mes 150 pjesëmarrësve. Dhe sot në turin e 5-të do të jetë përballë Australisë
Olimpiada Botërore e Shahut
Rezultatet teknike të turit të katërt:
Meshkuj
Shqipëri – Bangladesh 0.5-3.5
Erald Dervishi – Enamul Hosain (MM) 0-1
Dritan Mehmeti – Abdullah Mollah Al Rakib (MM) 0.5-0.5
Ilir Seitaj – Ziaur Rahman (MM) 0-1
Franc Ashiku – Niad Murshed (MM) 0-1