Gjergj Vyshka 24.06.2016 12:30
Trajneri Çela: “Në një moment ka humbur vigjilencën dhe ka pësuar një goditje taktike fatale. Ishim shumë afër vendeve të nderit, por fati nuk ishte me ne”. Ky tur i 7-të i Kampionatit Evropian të Shkollave në Shah, që është duke u zhvilluar në Kasandra të Greqisë, nuk ka qenë me fat për Klean Shuqja në grupmoshën e 11-vjeçareve për vajza, teksa është mundur nga turkja Inxhe Safije Ojku.
Kjo e fundit është kandidate mjeshtre për femra. Ndeshjen me turken, i ati i Kleas, Arteni, ia ka dërguar menjëherë trajneri Shkëlqim Çela, që është ndjerë keq për mënyrën e humbjes. “Ka luajtur jashtëzakonisht mirë, – thotë Çela, duke bërë komentin e asaj që ka parë nga larg, – madje e ka pasur ndeshjen super të fituar. Por në një moment ka humbur vigjilencën dhe ka pësuar një goditje taktike.”
“Kjo goditje ka rezultuar për të fatale. Ishim shumë afër vendeve të nderit, por fati nuk ishte me ne”, – ka përfunduar trajneri. Në këto kushte, Shuqja ka mbetur në kuotën e 4.5 pikë pas 7 turesh, duke rrëshqitur në vendin e 7-të, ndërsa është 1 pikë e gjysëm larg vendit të parë, që aktualisht mbahet nga kandidatja mjeshtër për femra, rusja Margarita Zvereva, e cila ka 6 pikë në 7 ture.