AlbanianSport.com 30.10.2014 10:05
ASNN – Nxënës të shkollave 9-vjeçare të Vlorës dhe shahistë të moshave të ndryshme, anëtarë të shoqatës së shahut, u përfshinë në një aktivitet të organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve e këtij qyteti, në kuadrin e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Kjo veprimtari, e emërtuar “Takim brezash”, tërhoqi vëmendjen e dhjetëra bashkëmoshatarëve të shahistëve pjesëmarrës. Për disa orë me radhë, godina e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, u shndërrua në një mjedis sportiv, ku dashamirësit e këtij sporti, mbështetën protagonistët e kësaj veprimtarie.
Në përmbyllje të këtij takimi brezash, u dhanë edhe çertifikata mirënjohjeje për shahistët e vegjël, që kanë zgjedhur të ndjekin këtë sport. Kjo është një nga veprimtaritë e shumta, që po zhvillon Qendra Kulturore e Fëmijëve e qytetit të Vlorës, në kuadrin e 70 Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.