Gjergj Vyshka 24.09.2015 11:35
Antoaneta Stefanova, Mjeshtre e madhe Ndërkombëtare, por dhe ish-kampione e Botës në shah në vitet 2004-2006, do të jetë lektorja e kursit të trajnerëve të katrorëve bardhezi në vend.
Kursi ka nisur dje me ceremoninë e hapjes në mjediset e hotel “Kotonit” në Tiranë, ndërsa në të kanë marrë pjesë Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinçi dhe Mjeshtri i madh Ndërkombëtar, Erald Dervishi.
Në këtë kurs, që është me mbështetjen e Federatës Botërore të Shahut dhe atë Evropiane, por që ka gjetur dhe përkrahjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, marrin pjesë 26 veta.
Dhe Stefanova në deklaratën e saj jo vetëm që është shprehur e kënaqur për pjesëmarrjen e saj dhe drejtimin e kursit të parë në Tiranë, por ka shprehur dhe idenë se ky kurs kualifikimi do të shpërbejë edhe në zhvillimin e Akademisë së Shahut.
“Ky kurs është shumë i rëndësishëm për të gjithë dhe duhet të shërbejë si një fillesë për ta çuar më përpara nivelin e shahut shqiptar”, – ka theksuar në fjalën e saj të parë bullgarja Stefanova.
“Jam e kënaqur me këtë pjesëmarrje, por ashtu sikurse do të jap ide, ashtu dhe dua të marrë prej jush”, – shtoi ish-kampionia e Botës 2004-2006, sot mjeshtre e madhe ndërkombëtare, e cila ka marrë përsipër të drejtojë kursin e Federatës Botërore të Shahut për trajnerët në Tiranë.
Kursi me Mjeshtren e Madhe ndërkombëtare bullgaren Stefanova përfundon më 25 tetor, kurse më 27 tetor në një nga sheshet e Tiranës ajo do të zhvillojë dhe një simultane me fëmijët e shkollave të kryeqytetit.