Gjergj Vyshka 13.09.2016 09:45
Turi i dhjetë i Olimpiadës së 42-të Botërore të Shahut, që është duke u zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit, teksa ishte i parafundit, ka dhënë një barazim mjeshtëror për kombëtaren e meshkujve. Një barazim 2-2 me Izraelin, që ka pasur katër mjeshtra të mëdhenj ndërkombëtar në gjirin e vet, është quajtur sukses. Pse jo si fitore, që në një farë mënyrë minimizon atë barazim të papritur me Mozambinkun në të njëjtat shifrat si dje.
Ka humbur Erald Dervishi në tavolinën e parë, por ka rikuperuar menjëherë Dritan Mehmeti në të dytën. Humbet Seitaj në tavolinën e tretë dhe rikuperon Franc Ashiku, që rikthehet me fitore pas tre turesh mungesë, ndërsa është lënë pushim Llambi Pasku. 12 pikë për kombëtaren e djemve, që kështu ka salduar vendin e 53-të në renditje me 150 pjesëmarrësve. 5 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, ndërsa në pikë tavoline kombëtarja e djemve ka 23 pikë.
Pikë që vijnë nga Erald Dervishi, 5 pikë në 9 ndeshje, Dritan Mehmeti, 7.5 pikë në 10 ndeshje (i vetmi që nuk ka bërë asnjë pushim), Llambi Pasku, 3 pikë në 7 ndeshje, Ilir Seitaj, 5 pikë në 8 ndeshje, dhe Franc Ashiku, 2.5 pikë në 6 ndeshje. Pra deri më tani një paraqitje e kënaqshme e tanëve. Sot në turin e fundit, shahistët shqiptar do të jenë përballë ekipit të 3-të përfaqësues të vendit organizator të kësaj Olimpiade Botërore, Azerbajxhanit.
Olimpiada Botërore e Shahut
“Baku – Azerbajxhan 2016”
Rezultatet teknike të turit të 10-të:
Meshkuj
Izrael – Shqipëri 2-2
Maksim Rodshtein (MM) – Erald Dervishi 1-0
Evgjeni Postni (MM) – Dritan Mehmeti 0-1
Tamir Nabati (MM) – Ilir Seitaj 1-0
Tal Baron (MM) – Franc Ashiku 0-1